Thatësira e zgjatur dhe vala e vazhdueshme e të nxehtit kanë shkaktuar mungesë uji në Holandë, njoftoi qeveria holandeze të martën. Autoritetet bëjnë me dije se lumenjtë e vendit kanë zbritur në nivele historikisht të ulëta, ndërsa reshjet kanë qenë thuajse të munguara gjatë javëve të fundit. Për këtë arsye, qeveria ka vendosur të marrë masa për shpërndarjen më të kontrolluar të rezervave ujore dhe për të përballuar kërkesën në rritje për ujë.

Sipas autoriteteve, Holanda ka kaluar nga një situatë e një mungese “potenciale” të ujit në një mungesë “reale”, ndërsa parashikohet që kjo gjendje të vijojë edhe në javët e ardhshme.

Pavarësisht situatës, furnizimi me ujë të pijshëm nuk është rrezikuar, pasi rezervat ishin shtuar përpara sezonit veror. Megjithatë, në zona të ndryshme do të vendosen kufizime për përdorimin e ujit, veçanërisht për ujitjen.

Ndërkohë, të dhënat e sistemit të monitorimit të klimës së Reuters tregojnë se temperatura mesatare maksimale në Evropën Perëndimore pritet të arrijë në 28.7 gradë Celsius, rreth 5.4 gradë më shumë se mesatarja historike për këtë periudhë (1961-1990).

Në Holandë, temperatura mesatare maksimale prej 24.3 gradësh Celsius është rreth 4.5 gradë mbi normalen, duke shtuar ndikimin e kushteve të thata në vend.