NEWTOWN- Presidenti amerikan, Barack Obama premtoi sot se do të bënte gjithçka që ishte në pushtetin e tij për të penguar tragjedi si dhuna e papërshkrueshme që i kushtoi jetë 26 personave në Newtown.
Duke përmendur gjatë një ceremonie ikumenike emrat e 20 fëmijëve të vrarë, Obama theksoi se ndodhej aty për t'iu ofruar dashurinë dhe lutjet e SHBA-së.
''Nuk jeni të vetëm në hidhërimin tuaj'', tha presidenti amerikan.
''Nuk mund të tolerojmë më. Këto tragjedi duhet të marrin fund. Dhe për t'u dhënë fund, ne duhet të ndryshojmë'', konfirmoi Obama, i cili takoi familjarët e viktimave dhe punëtorët e shërbimeve të emergjencës gjatë vizitës së tij në zonë.
Gjatë këtij fjalimi, në një sallë të madhe të liceut të Newtown, Obama me një ton të ashpër përsëriti thirrjen për veprime kundër krimeve me armë duke shtuar se në të ardhmen ai do të përdorë çdo fuqi që ka në përpjekje për të parandaluar tragjedi të tilla.