TIRANE- Rreth 500 persona vdesin në Tiranë si pasojë e ndotjes së ajrit. Ky ka qenë një prej përfundimeve të raportit të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën në vendin tonë.

Ky është raporti i dytë i këtij lloji, pas atij të publikuar në vitin 2002. Në të theksohet se janë bërë hapa përpara në fusha si: infrastruktura, mbledhja e taksave apo ligji i pronës, por sfidat që lidhen me mjedisin mbeten ende për t'u aplikuar. Gjithashtu, theksohet se menaxhimi i mbeturinave është në një nivel të ulët dhe se në zonat rurale nuk ka sisteme për grumbullimin e mbeturinave të ngurta. Edhe furnizimit me ujë i kushtohet një vend shumë i rëndësishëm në raport. 

"Vetëm 40 për qind e popullsisë urbane është e lidhur me sistemin e kanalizimit dhe vetëm një pjesë e vogël e zonave rurale janë të pajisura me rrjete kanalizimesh", -thuhet në raport. Gjithashtu, i rëndësishëm mbetet fakti se shumica e shërbimeve të ujit nuk janë në gjendje të mbulojnë shpenzimet operative, ndërsa kjo vjen edhe si pasojë e mungesës së kontrollit të matjeve. Megjithatë, raporti tregon se është ulur mjaft niveli i varfërisë, pasi nga 25.4 për qind që përllogaritej në vitin 2002, në vitin 2008 ai ka shkuar në masën 12.4 për qind.

"Vendi ka përjetuar një rritje të qëndrueshme ekonomike që nga viti 2002 dhe mesatarja vjetore e PBB-së nga 2003 në 2010 ishte 4.8%", – thuhet në raport. Ai përmbyllet me 47 rekomandime për Shqipërinë.