TIRANE, 30 prill 2013– Ditën e sotme Fryma e Re Demokratike ka mbledhur Kuvendin e saj të parë Kombëtar, që përkon me ditën e njëvjetorit të krijimit të kësaj partie.
Mbledhjen e hapi deputeti Gazmend Oketa, i cili deklaroi se FRD është forcë e tretë dhe përcaktuese në zgjedhjet e 23 qershorit.
"Sot jemi për të dëshmuar se FRD është forcë e tretë dhe me një projekt ambicioz. Në KQZ janë regjistruar shumë parti, por në 23 qershor shqiptarët do të zgjedhin mes tre alternativave. Mes dy partive të vjetra që propozojnë të njëjtin model, që vetëm emrat i kanë të ndryshëm, militant në çdo hallkë, imunitet ndaj korrupsionit, dhe alternativës tonë. FRD që sjell moderacion, sjellje evropiane dhe të drejtë qytetarëve”- është shprehur ai.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Oketa shprehu keqardhje që Shqipëria është i vetmi vend në NATO ku shtrohet pyetja e mbrojtjes së votës së lirë.
“Jemi së bashku me ju për ti dhënë fund tranzicionit të institucioneve. Kërcënimi më i madh na vjen nga despotizmi politik dhe nga pafuqia për të mbajtur premtimet. Mjafton të shohim zgjedhjet. Ne jemi i vetmi vetëm anëtar në NATO që shtrohet pyetja si do mbrohet vota. Jemi vendi ku shpenzohen energjitë për luftën në KQZ. Jemi vendi ku politika flet me shumë për madhësinë e halës së ngjalës sesa ekonominë” theksoi Oketa.





