DURRES – “Në muajin prill të vitit të ardhshëm do nisë investimi për ujësjellësin e ri të qytetit të Durrësit”,- premtoi sot nga Durrësi ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. Sipas Olldashit investimi në fjalë kap vlerën 76 milion dollarë dhe do të mundësohet falë një kredie të Bankës Botërore. Sipas ministrit ky investimin pritet të zgjidhë përfundimisht problematikën e theksuar të qytetit të Durrësit përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.

“Në muajin prill do fillojmë investimin prej 76 milionë dollarësh për ujësjellësin e ri të qytetit, një kredi e financuar nga Banka Botërore. Investimi në fjalë do të zgjidhë përfundimisht problematikën e furnizimit me ujë të qytetit të Durrësit. Tashmë jemi në diskutimin e çështjeve teknike të kredisë”,- tha Olldashi.

Nga ana tjetër ministri tha se vera e ardhshme do ta gjejë zonën turistike të plazhit të Durrësit dhe Shkëmbit të Kavajës pa problematikat e theksuara përsa i përket sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe furnizimit me ujë të pijshëm.

Në shkurt të 2013-ës përfundojnë punimet për kolektorin e ujërave të zeza për të gjithë vijën bregdetare. Ujërat e zeza që derdheshin në det dhe ndotja e lartë e ujit të detit përgjatë gjithë vijës bregdetare të Durrësit ka shkaktuar jo rrallë herë pakënaqësi në mesin e pushuesve që frekuentonin këtë vijë bregdetare.  

Ministri Sokol Olldashi inaguroi paraditen e sotme ujësjellësin e ri për zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës. “4 mijë familje rezidente në këtë zonë do të furnizohen me 24 orë ujë në ditë. Janë një numër i madh investimesh nga Manza drejt periferisë së Durrësit, plazhit dhe Shkozetit, ku po kryhen investime serioze për furnizimin me ujë të pijshëm, por edhe për sistemin e rrjetit të kanalizimeve”,- tha ministri gjatë fjalës së rastit.