DURRES – “Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale do të përmbyllet brenda vitit 2013”,- deklaroi nga Durrësi ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi. Ministri Olldashi mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së 100 certifikatave të lejeve të legalizimeve në Durrës. Sipas tij procesi po ecën mirë dhe deri tani në rang vendi janë ndarë 44 mijë e 100 leje legalizimi në të gjithë vendin.
Sipas ministrit procesi pritet të mbyllet brenda mandatit të dytë të qeverisë Berisha.
“Procesi i legalizimit njëkohësisht kompenson edhe shumë pronarë dhe ky ka qenë qëllimi i qeverisë shqiptare, që të dy palët të mbeten të kënaqur në përmbyllje të këtij procesi. Unë do t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vijojnë me shpejtësi të gjitha procedurat që u kërkohen, sepse procesi nuk mund të jetë i njëanshëm. Është shumë e rëndësishme që qytetarët t’u përgjigjen në kohë me kryerjen e veprimeve të nevojshme për të marrë certifikatën e legalizimit”,- tha Olldashi.
Ndërkohë kreu i ALUIZNI-t në Durrës, Erion Jakova tha se “në muajin mars të vitit të ardhshëm pritet të përmbyllet procesi i transferimit të pronësisë së trojeve ku janë ndërtuar objektet pa leje në favor të subjekteve që i kanë ndërtuar ato.
Aktualisht në Durrës janë rreth 9000 objekte, që presin ende transferimin e pronësisë së truallit.
Për të evituar vonesat në përfundimin e këtij procesi ALUIZNI ka përshpejtuar procesin e miratimit të lejes së legalizimit, proces që tashmë mbyllet brenda dy ditëve.
Në qarkun e Durrësit janë bërë gjithsej rreth 35000 aplikime për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe prej tyre afro 22.000 i përkasin territorit të Bashkisë së Durrësit.
Deri tani janë legalizuar vetëm 6 objekte pa leje nga 30 mijë që janë në rang qarku.