Pas imitimit të personave me aftësi të kufizuar nga disa nga banorët e shtëpisë së Big Brother, pak ditë më parë është krijuar një debat i fortë, ku një zë tejet kritik ka qenë edhe ai i opinionistit Olti Curri.

Mbrëmjen e djeshme gjatë spektaklit, Arbana në emër të produksionit i ka kritikuar shumë, duke u dhënë edhe dënimin që vëllai i madh kishte marrë për ta. Ajo tha se si dënim, gjysmën e buxhetit do ta çonin në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara.

Por ky dënim i lehtë, nuk i ka pëlqyer aspak Olti Currit duke reaguar ashpër ndaj banorëve që u bënë pjesë e kësaj shakaje shumë të shëmtuar, por edhe ndaj produksionit.

Ditën e sotme, gjatë “Fun Club”-it, ai ka thënë se dënimi që iu dha banorëve ka qenë qesharak. Ai mendon se një dënim më i merituar do të ishte ai i largimit të tre banorëve që nisën këtë shaka, Olsi, Danjeli dhe Donaldi.

Po ashtu, Olti është shprehur se do ishte mirë që Big Brother t’i vendoste parneret e tyre në karrige me rrota për t’i bërë të kuptojnë se ç'do të thotë të jesh me aftësi të kufizuara.

“E theksoj se dënimi nga Big Brother ishte qesharak. Po të isha unë do t’i kisha përjashtuar menjëherë nga shtëpia të tre çiftet dhe do t’i zëvendësoja me të rinj. Më mirë të rrezikoja audiencën sesa të fyeja këtë komunitet”, ka thënë opinonisti durrsak.

E ftuar ka qenë edhe gazetarja Juli Ristani për të komentuar rreth të rejave të fundit në reality show-n, e cila ka dënuar me forcë këtë sjellje. Madje në studio, gazetares iu mbushën sytë me lot teksa thoshte se çdo personi, edhe asaj vetë mund t’i ndodhë që një ditë të pësojnë aksident e të mbeten me aftësi të kufizuara…