Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka miratuar kërkesën e SPAK për caktimin e masave të sigurisë ndaj dy shtetasve me iniciale M. L. (alias G.) dhe E. L., të dyshuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve.

Për njërin prej të dyshuarve, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për tjetrin janë caktuar masat “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Sipas hetimeve të SPAK, të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, procedimi penal lidhet me një rrjet të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje heroine drejt Danimarkës, përmes Suedisë.

Operacioni, i koduar nga autoritetet daneze si “Bacchus”, dyshohet se është zhvilluar gjatë periudhës 1 tetor 2023 – 23 janar 2024, ku droga transportohej në disa episode dhe më pas përpunohej për rishitje në treg.

Nga hetimet rezulton se lënda narkotike përzihej me substanca të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim rritjen e fitimeve nga shitja.

Hetimet e përbashkëta kanë çuar në identifikimin dhe procedimin penal të disa personave në Danimarkë dhe Shqipëri, ndërsa autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal.

Policia e Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurisë më 14 maj 2026, ndërkohë që SPAK thekson se hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

Sipas ligjit, çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Njoftimi i SPAK

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit ndaj dy shtetasve M. L., (alias G.,) dhe E. L, në kuadër të procedimit nr.55 të vitit 2024, për veprat penale:

  • “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”;
  • “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata me vendimin e saj nr. 28, datë 14.5.2026 vendosi caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin M. L., (alias G.), si dhe masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin E. L.

Hetimet lidhur me këtë procedim penal u realizuan në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Autoritetet daneze, në muajin gusht të vitit 2023 kanë regjistruar procedimin penal nr. 0100-71282-00102-23 – “Operacioni Bacchus”. Në hetim ishte një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të cilët në kuadër të grupit të strukturuar kriminal kanë zhvilluar aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë në Mbretërinë e Danimarkës.

Kjo veprimtari është shtrirë nga 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024, në 7 episode, gjatë të cilëve, anëtarët e grupit kriminal kanë importuar në Mbretërinë e Danimarkës heroinë  përmes shtetit kufitar të Suedisë. Lënda narkotike e trafikuar, përgatitej për shitje në tregun danez, e përzierë me lëndë të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim maksimizimin e fitimeve.

Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, deri në këto momente është bërë e mundur identifikimi, procedimi në Danimarkë i 3 personave (dy shtetas shqiptarë dhe një i huaj), ndërsa në Shqipëri është mundësuar identifikimi i 2 (dy) shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Më 14.5.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimit personal për të dy shtetasit në hetim.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me mplikimin e personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.

Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë daneze si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mbështetjen e treguar”, njofton SPAK.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.