Mediat italiane kanë dhënë detaje në lidhje me një operacion të përbashkët mes autoriteteve italiane dhe Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ku janë lëshuar 14 masa sigurie.
Nder personat e arrestuar janë Ergys Kastrati alias Bishja dhe Igli Kamberi.
Operacioni ka në fokus persona të dyshuar për përfshirje si në vrasjen e të riut italian Francesco Diviesti, ashtu edhe në një rrjet të dyshuar të pastrimit të parave mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas mediave italiane, një nga të dyshuarit është vendosur në arrest shtëpie, tre të tjerë janë lënë nën detyrim paraqitjeje, ndërsa pjesa tjetër është dërguar në burg.
Hetimet po përqendrohen në një organizatë kriminale që dyshohet se vepronte në mënyrë të qëndrueshme mes dy brigjeve të Adriatikut, me bazë në Tiranë dhe aktivitet kryesor transferimin e paligjshëm të shumave të mëdha të parave nga Italia drejt Shqipërisë.
Sipas hetuesve, sistemi i dyshuar i pastrimit të parave lidhet edhe me hetimet për vrasjen e Diviestit, e ndodhur më 25 prill 2025.
26-vjeçari, i cili punonte si berber në Barletta së bashku me të atin, ishte zhdukur mbrëmjen e 25 prillit pasi kishte dalë nga shtëpia rreth orës 20:30.





