Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë se mund të mbështesë kryeministrin në largim holandez, Mark Rutte për postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s nëse plotësohen disa kushte. Ai tha gjithashtu se Rutte duhet të kërkojë falje për vërejtjet fyese që bëri për Hungarinë

“Rutte duhet të kërkojë falje për vërejtjet fyese që bëri për Hungarinë. Ai gjithashtu duhet të pajtohet që Hungaria nuk duhet të marrë pjesë në asnjë mision ushtarak të NATO-s të drejtuar kundër Rusisë në Ukrainë,” tha Orban për portalin e financuar nga qeveria hungareze, Mandiner.

Ndryshe, mandati i Sekretarit të Përgjithshëm aktual të NATO-s, Jens Stoltenberg, mbaron në muajin tetor. Për të zgjedhur një pasardhës kërkohet konsensusi i Aleancës së 32 vendeve. Aktualisht, të gjitha vendet anëtare, përveç Rumanisë dhe Hungarisë, mbështesin Rutte. Rumania ka kandidatin e saj për postin e lartë të NATO-s, presidentin Klaus Iohannis.