Këtë sezon numri i shqiptarëve që aktivizohen në Serinë A është shtuar. Me ardhjen e Manajt, ngjitjen e Bajramit me Empolin dhe transferimin e portierit Berisha nga Seria B, Kombëtarja Shqiptare ka një pjesë të mirë të lojtarëve të saj në ligën më të fortë italiane.Por le të shohim se sa arkëtojnë në një sezon futbollistik nga kontratat e tyre lojtarët shqiptarë. Një pjesë e tyre janë edhe mes lojtarëve më të paguar në skuadrat respektive. Rasti i parë është ai i sulmuesit Vedat Muriqi te skuadra e Lacios. Dardani, i cili është aktivizuar edhe në Shqipëri me Besën dhe Teutën, tani përfiton 2.2 milionë euro në sezon.

Muriqi u transferua verën e kaluar nga Fenerbahçe te Lacio për shifrën e 20 milionë eurove. Shtatlarti i sulmit momentalisht është shqiptari më i paguar në Serinë A.Pas tij, vendin e dytë e ndajnë tre futbollistë. Marash Kumbulla i Romës, Elseid Hysaj i Lacios dhe Amir Rrahmani i Napolit arkëtojnë nga 1.8 milionë euro në sezon duke lënë pas dy lojtarët e tjerë të Kombëtares. Nedim Bajrami tek Empoli dhe Thomas Strakosha te Lacio përfitojnë 1.2 milionë euro në vit.Klasifikimi vijon me portierin tjetër dhe kapitenin e Kombëtares, i cili merr një pagë prej 1 milionë eurosh. Berisha u transferua këtë verë nga Spali te skuadra e Torinos në Serinë A.

Pas tij vjen Ardian Ismajli, mbrojtësi është i pari nga lojtarët që përfitojnë nën 1 milionë euro. Lojtari i transferuar nga Specia tek Empoli ka një pagë që kap shifrën e 900 mijë euro, 100 mijë më shumë se Berat Gjimshiti, i cili pavarësisht dëmtimit në krah është një titullar i rëndësishëm tek Atalanta, por në raport me shqiptarët e tjerë paguhet disi pak.Mërgim Vojvoda përfiton te Torino 700 mijë euro në sezon dhe Rei Manaj është i fundit në listë. Sulmuesi kaloi te Specia këtë verë në huazim nga Barcelona dhe përfiton 420 mijë euro.