Kryeministri Edi Rama gjatë gjithë muajit gusht përmes intervistave në mediat italiane dhe ato spanjolle, përfshi postimet në rrjetet sociale, ka folur për sekretin e suksesit të turizmit shqiptar këtë sezon.

Në këtë kuadër, Rama vizitoi sot shkollën e rikonstruktuar të Hoteleri-Turizëm në Tiranë, e cila ka nisur certifikimin nga Shkolla e Lausanne, më e mira në botë për Hotelerinë, që do të mbështesë nevojat e sektorit Hoteleri-Turizëm në një kohë kur Shqipëria po përjeton një fluks të jashtëzakonshëm turistësh, ndërsa 80 % e studentëve punësohen që në bankat e shkollës me pagesa konkurruese për tregun.

“Kjo është një shkollë që po futet në një fazë shumë të rëndësishme transformimi. Për faktin që i shërben edhe një sektori, i cili po përballet me sfida te  reja tanimë. Dihet që Shqipëria turistike ka hyrë në një fazë të avancuar të zhvillimit të saj dhe patjetër për t’iu përgjigjur këtyre sfidave është shumë e rëndësishme që ne të përgatisim edhe kapacitetet dhe burimet njerëzore, një pjesë të tyre e kemi sot këtu.  Lajmi i mirë në kuadër të gjithë këtyre që thamë, të sfidave të zhvillimit të hoteleri turizmit, të sektorit të turizmit në përgjithësi lidhet dhe me marrëveshjen që sapo kemi nënshkruar me shkollën e hoteleri-turizmit të Lozanes, e cila është një ndër shkollat  më të mira në botë në fushën e turizmit. Ka qenë një negociatë e vështirë, por më në fund ata do vijnë në Shqipëri dhe brenda vitit ne po përgatitemi që të standardizojmë dhe të rrisim cilësinë në nivelin e shkollës së hoteleri-turizmit duke filluar me kurrikulat, me trajnimin e mësuesve, me sigurimin që infrastruktura e shkollës e cila është e investuar, t’i përgjigjet standardeve të shkollës së hoteleri turizmit, standardeve ndërkombëtare, aty ku synojmë të shkojmë.” – shpjegoi zëvendësministrja e Financës Olta Manjani, e cila shtoi ndër të tjera se “për të mbështetur gjithë këto zhvillime të tregut të sektorit të hoteleri turizmit, po ndërmarrim dhe një reformë shumë të thellë në arsimin profesional, me fokus arsimin profesional ky synojmë t’i përgjigjemi dhe standardeve europiane. 

Kryeministri vizitoi mjediset e rikonstruktuara të shkollës dhe inkurajoi nxënësit të përvetësojnë sa më shumë dijet e dhëna në bankat e shkollës, si një domosdoshmëri për integrimin e tyre tregun e punës. “Takova këtë verë disa operatorë në zonën e Dhërmiut atje dhe ata thoshin që s’është më pyetja sa është paga, por sa është aftësia dhe kapaciteti profesional i atyre që marrim sepse pagat janë absolutisht shumë të larta, kështu që mësoni sa më mirë.” – inkurajoi ai.

Në shkallë vendi janë 12 shkolla të mesme profesionale që ofrojnë drejtimin Hoteleri Turizëm, të shpërndara në te gjitha rajonet e vendit.