Teksa zbatimi i procesit të fiskalizimit po aftohet, tatimet kanë dhënë informacion lidhur me dokumentimin e transaksioneve të kryera.

Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit mbi detyrimin për dokumentimin e transaksioneve që kryejnë. Në zbatim të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” dhe ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, çdo transaksion i kryer duhet të jetë i dokumentuar dhe justifikuar me dokument tatimor.

Referuar kuadrit ligjor të mësipërm, për qëllim të dokumentimit të transaksioneve me para në dorë, tatimpaguesit mund të zgjedhin njërën nga  mënyrat e mëposhtme:

Tatimpaguesit e rinj të regjistruar pas hyrjes në fuqi të ligjit për fiskalizimin (pas datës 4 Shkurt 2020) deri më datën 31 Mars 2020 mund:

të zgjedhin, të lëshojnë fatura sipas kërkesave të fiskalizimit; ose

të zbatojnë dispozitat në fuqi të procedurave tatimore pra të vijojnë me përdorimin e pajisjeve fiskale aktuale.

Nga data 1 prill, tatimpaguesit e rinj sërish mund të zgjedhin njërën nga këto mënyra (ndër to edhe sistemin e administratës tatimore) për të dokumentuar transaksionet, deri në zbatimin e plotë të ligjit sipas fashave të tatimpaguesve.

Tatimpaguesit ekzistues mund të zgjedhin që të lëshojnë fatura ose kuponë tatimorë, në përputhje me kërkesat e fiskalizimit osë nëpërmjet pajisjeve fiskale aktuale, deri në momentin e zbatimit të plotë të ligjit sipas fashave të tatimpaguesve.

Gjithashtu, ashtu siç përcaktojnë pika 2 e nenit 1 dhe pika 2 e nenit 18 të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” , pajisjet fiskale aktuale do të vijojnë të përdoren edhe pas implementimit të plotë të proçesit të fiskalizimit.

Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit të përmbushin detyrimet tatimore mbi dokumentimin e transaksioneve duke zbatuar procedurat dhe kërkesat e fiskalizmit ose të vijojnë me përdorimin e pajisjeve fiskale deri në momentin e zbatimin e plotë të ligjit të fiskalizimit.

Fiskalizimi

Ne zbatim te Ligjit nr.87/2019, në varësi të llojit të të transaksionit, efektet e zbatimit të tij fillojnë:

më 1 shtator 2020, për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim fitimit me të ardhura vjetore mbi 8 milionë lekë.

më 1 janar 2021, për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë,

më 1 janar 2021, për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore deri në 2 milionë lekë,

më 1 janar 2021, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike,

më 1 korrik 2021, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë

Ndërkohë që, nga data 1 prill 2020 deri në fillimin e efekteve, tatimpaguesit e rinj të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit apo në Administratën Tatimore, si edhe tatimpaguesit ekzistues, mund të lëshojnë fatura në përputhje me këtë ligj ose kuponëve tatimorë dhe/ose dokumenteve të tjera, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore.