Banorët palestinezë të Sebastias, në Bregun Perëndimor të pushtuar, po kundërshtojnë planin e autoriteteve izraelite për marrjen e rreth 450 hektarëve tokë pranë një prej zonave më të rëndësishme arkeologjike të rajonit.

Në këto toka, familjet palestineze kanë kultivuar ullinj prej brezash. Një prej pronarëve, Abu Mudif, thotë se ka marrë njoftim se toka e tij do të merret për nevoja të parkut të ri kombëtar që Izraeli planifikon të krijojë pranë sitit arkeologjik.

Është sikur të të shkulnin shpirtin. Nuk mund ta imagjinoj veten pa tokën time”, tha ai, duke theksuar se toka është një burim i rëndësishëm jetese për familjen e tij.

Autoritetet izraelite thonë se marrja e tokave synon mbrojtjen dhe zhvillimin e sitit arkeologjik. Banorët palestinezë, megjithatë, druhen se do të humbasin aksesin në tokat e tyre dhe në rrënojat që ndodhen pranë fshatit.

Sebastia ka rrënoja që datojnë mijëra vjet dhe përfshin gjurmë të periudhave të ndryshme, nga historia e lashtë hebraike deri te periudhat romake, kryqtare dhe osmane.

UNESCO e ka përfshirë Sebastias në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, duke shprehur shqetësim për planin izraelit për marrjen e tokave dhe krijimin e parkut kombëtar “Samaria”.

Edhe aktivistë izraelitë kundërshtojnë mënyrën se si po zhvillohen projektet. Alon Arad, nga organizata Emek Shaveh, thotë se autoritetet duhet të bashkëpunojnë me banorët dhe administratën lokale, në mënyrë që zona të zhvillohet në interes të të gjitha komuniteteve.

Ndërkohë, Izraeli ka shtuar fondet për projektet arkeologjike në Bregun Perëndimor. Kritikët thonë se arkeologjia po përdoret për të zgjeruar kontrollin mbi tokat palestineze, ndërsa autoritetet izraelite e paraqesin këtë si përpjekje për ruajtjen e trashëgimisë historike.

Banorët e Sebastias frikësohen se planet e reja do t’i shkëpusin nga tokat dhe trashëgimia me të cilat kanë qenë të lidhur për breza.