Palmat sulmohen nga një insekt (koleopter i kuq), i cili pushton majën e palmës, ushqehet dhe shtohet bollshëm në të dhe shpejt e detyron bimën të thahet

Ne jemi vërtet, vend i vogël, por kemi një florë që liston deri në 3 500 lloje, për të cilën na kanë zili shumë vende të tjera 

Shqipëria zë vend të veçantë për sa i përket sasisë së llojeve bimore në njësinë e sipërfaqes, pasi ka rreth 10 herë më shumë lloje në 1 000 km katrorë se vlera përkatëse e kontinentit evropian 

DURRËS, 13 dhjetor 2014 –  Shkencëtari shqiptar Aleko Jaho i jep “shpullë” bashkisë së Durrësit për palma-maninë, që rëndon buxhetin për çmimin, për më tepër që thahen shpejt nga koleopteri i kuq, sikurse ka ndodhur teksa janë prerë me dhjetëra palma te “Vollga”, Tora, “Taulantia”, Mauzoleu i Dëshmorëve në tetor 2010 (në foto). Dhe, megjithatë Akademiku dhe profesori në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në universitetin publik të Tiranës (UT), Aleko Miho, jep alarmin: 

“Në rrugën Tiranë-Durrës, dhe në rrugën e zonës së Plazhit, Durrës, ndër të tjera të bie në sy mbjellja e palmave. Nuk kam asgjë kundër palmave. Kur rriten mirë ato janë bimë zbukuruese tërheqëse dhe mjaft çlodhëse. Por për fat të keq, palmat në rajon po kalojnë një periudhë krize, pasi sulmohen nga një insekt (koleopter i kuq – Rhynchophorus ferrugineus), i cili pushton majën e palmës, ushqehet dhe shtohet bollshëm në të dhe shpejt e detyron bimën të thahet”, jep alarmin 

Shkencëtari i mirënjohur thotë:

“Fqinjët tanë italianë përpiqen me shumë mundim t’i mbrojnë dhe t’i mbajnë në jetë palmat në parqet e tyre. Ne kishim dy palma shumë të bukura para hyrjes së Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe patën po këtë fund fatal! Në rrugën e Plazhit të Durrësit, pak vite më parë u mbollën palma dhe shpejt të gjitha dështuan”. 

Akademiku ndien keqardhje teksa: 

“vë re se në këtë zonë gjelbëruesit njohin pak edhe biologjinë bimore, pasi bimës i kanë lënë vetëm një pëllëmbë dhe duke e vënë atë në sprovë të vështirë për të mbijetuar. Të nderuar specialistë, bimët duan ca dhe në bazë që të mund të rriten shëndetshëm!”

Më shumë se për specialistët ky alarm duhet të zgjojë bashkinë e Durrësit: 

“Mos harroni që në rrugë ato kanë edhe mjaft stres nga ndotja, që krijojnë trafiku i dendur dhe klima e ashpër jashtë vendit të tyre të origjinës! Duke marrë shkas nga shembulli i qartë i palmave, dua të theksoj se palma nuk është bimë e florës sonë”. 

Akademiku Aleko Miho argumenton: 

“Në parim unë do të nxitja fuqishëm shtimin në vend dhe mbjelljen e bimëve tona vendase. Kjo për shumë arsye. 

Së pari, është një degë e ekonomisë që mund të jetë gjithmonë fitimprurëse. Duke qenë vendase, farat dhe fidanët e bimëve vendase janë më të përshtatura me klimën e vendit dhe shërbimi për to do të ishte më i lehtë. Bimët vendase nuk bartin rrezikun e ndotjes gjenetike me bimët e tjera spontane përreth, rrezik sot në rritje në mbarë botën për humbjen e biodiversitetit nga mbjellja e bimëve “aliene”. 

Së fundmi, nëpërmjet praktikave pyllëzuese, zbukuruese etj. mund të mbahen në jetë dhe shtohen shumë bimë të rralla dhe të kërcënuara, sidomos ato me interes ekonomik, që bëjnë pjesë në listën e kuqe të florës shqiptare. Ne jemi vërtet, vend i vogël, por kemi një florë që liston deri në 3 500 lloje, për të cilën na kanë zili shumë vende të tjera. Shqipëria zë vend të veçantë për sa i përket sasisë së llojeve bimore në njësinë e sipërfaqes, pasi ka rreth 10 herë më shumë lloje në 1 000 km katorë se vlera përkatëse e kontinentit evropian. Kjo do të thotë se brenda territorit shqiptar ka larmi të madhe habitatesh, që strehojnë dhe japin mundësi rritje për larmi të madhe flore dhe faune. 

Për këtë, të përfundosh në blerje farash dhe fidanësh nga jashtë për zbukurim apo pyllëzim, do të ishte marri për një vend si Shqipëria. Përkundrazi, Shqipëria mund të ishte shumë mirë tregtuese farash apo fidanësh vendas, si dru-frutorë, bimë zbukuruese, pyjore apo bimë me vlera industriale. Ne mund të jemi gjithmonë në krye edhe të tregtimit të produkteve me origjinë bimore, përfshirë këtu edhe dru zjarri, qymyr apo bimë mjekësore, por kjo nuk mund të bëhet pa masa të forta ripërtëritëse dhe mbarështuese. 

Për këtë rekomandoj fort nga ministritë përgjegjëse dhe pushteti vendor për nxitjen dhe mbështetjen e ngritjes së fidanishteve dhe të praktikave mbjellëse dhe prodhuese të farave dhe fidanëve në vend për bimë me rëndësi pyllëzimi, për të luftuar erozionin, për bimë mjekësore apo zbukuruese”.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/