Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), Dritan Palnikaj u bëri thirrjes sërish sot fermerëve të zbatojnë me përpikëri të gjitha udhëzimet e veterinerëve për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së murtajës së ruminantëve të vegjël (PPR), e cila, megjithëse nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut, përbën kërcënim serioz për sektorin bujqësor dhe ekonominë rurale

Palnikaj sqaroi në një intervistë në media se janë ngritur menjëherë qendra të krizës në zonat ku janë identifikuar rastet e para, duke filluar nga Shkodra, ku u konstatua edhe vatra e parë.

Sipas tij, këto qendra janë ngritur në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Doganor për të siguruar ndalimin e përhapjes përmes bllokimit të lëvizjes së kafshëve.

“E vetmja mënyrë për të penguar përhapjen e kësaj sëmundjeje është kufizimi i lëvizjes dhe kontaktit ndërmjet kafshëve. Prandaj kemi forcuar kontrollet në një rreze deri në 10 kilometra nga vatrat e identifikuara, kemi ndaluar tregtimin e bagëtive të imëta dhe kemi shtuar praninë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe AKVMB në terren”, tha Palnikaj.

Ai theksoi se në këtë operacion po bashkëpunohet ngushtësisht me Bashkimin Europian dhe organizata ndërkombëtare si FAO. Sipas tij, përfaqësues të BE-së kanë vizituar vendin dhe janë informuar hap pas hapi për masat e marra, në bashkërendim me DG SANTE dhe Komisionin Europian.

Po ashtu, theksoi ai, Shqipëria ka përfituar edhe nga ekspertiza e Greqisë, e cila ka kaluar më herët një situatë të ngjashme.

“Ne jemi aktualisht në një fazë lufte kundër kësaj sëmundjeje. Apelojmë që fermerët të respektojnë protokollet, të mos lëvizin bagëti nga një tufë në tjetrën dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimit mund ta frenojmë përhapjen”, u shpreh ai.

Masat përfshijnë gjithashtu ndalimin e hyrjes së bagëtive nga vendet fqinje si Greqia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi, si dhe monitorimin e nyjeve rrugore kryesore nga forcat e policisë dhe inspektorët veterinarë.

Palnikaj siguroi se procesi po zhvillohet me transparencë të plotë dhe do të vlerësohet më tej për të përcaktuar hapat e ardhshëm, si dhe për të analizuar ndikimin ekonomik dhe social që kjo situatë mund të sjellë. Ai theksoi se qëllimi kryesor është çrrënjosja e sëmundjes dhe mbrojtja e sektorit blegtoral në Shqipëri.