STAMBOLL – Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, mori pjesë sot në takimin e 27-të të Komitetit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, i cili u mbajt në Stamboll.
Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, në këtë takim që u drejtua nga Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, ishin të pranishëm ministrat e Punëve të Jashtme të 12 vendeve anëtare të organizatës, vendeve me statusin e vëzhguesit, si dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij, Ministri Panariti theksoi se Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi përbën një organizëm të rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit, duke forcuar dialogun politik dhe duke krijuar mundësi të gjera për bashkëpunimin ekonomik.
Ai theksoi nevojën e forcimit të përpjekjeve të vendeve anëtare të organizatës për thellimin e partneritetit ekonomik, sidomos në zhvillimin e infrastrukturës së rajonit, realizimin e projekteve në shumë fusha, sidomos në atë energjetike dhe ndërtimin e korridoreve rrugore dhe hekurudhore që lehtësojnë komunikimin mes vendeve.
Ministri shtroi gjithashtu nevojën që organizata të zgjerojë partneritetin me aktorë të rëndësishëm ndërkombëtare dhe rajonalë si BE, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, etj.
Në përfundim, Ministri Panariti theksoi se, integrimi europian dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal përbën një ndër sfidat më të rëndësishme të politikës së jashtme të qeverisë shqiptare dhe, në këtë kuadër, ajo do të shtojë angazhimin në të ardhmen në gjirin e kësaj organizate dhe të nismave të tjera rajonale.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, Ministri Panariti zhvilloi takime me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Moldavisë, Iurie Leonca dhe Zëvendësministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Josko Klisovic.
Në takimin me Ministrin e Jashtëm moldav, Ministri Panariti shtroi nevojën e zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, nëpërmjet zgjerimit të dialogut politik, shkëmbimit të vizitave në të gjitha nivelet dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për plotësimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit, kryesisht me marrëveshjet e karakterit ekonomik, si dhe për krijimin e komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik e tregtar. Ministri Panariti shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për të asistuar palën moldave në procesin e liberalizimit të vizave në hapësirën Schengen.
Në takimin me Zëvendësministrin e Jashtëm kroat të dy bashkëbiseduesit i cilësuan marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera. Ata shprehën vullnetin e qeverive respektive për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, sidomos në fushën e ndërtimit të infrastrukturës rrugore moderne dhe energjetikës.