Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga foltorja e Kuvendit iu është përgjigjur pyetjeve të deputetëve sa i takon situatës së pandemisë së koronavirusit.

Ajo pohoi se Shqipëria ka alookuar 120 milionë euro për t’u përgatitur për skenarin e vjeshtë-dimër apo dhe për dy vitet e ardhshme për planin për të përballuar pandeminë.

“Pandemia e COVID ka vënë në një sfidë edhe sistemin tonë shëndetësor. Nëse në këto vite nuk do të ishin ndërmarrë këto investime, dhe nëse s’do të ishte vënë fokusi aty, përballja me COVID do të ishte katastrofike. Kjo solli ato rezultate që na ndihmuan për të përballuar një situatë epidemike si kjo. Nëse do të flasim për përballimin e situatës, kemi shumë mësime për të mësuar. Shqipëria ka alokuar 120 mnl euro për skenarin që parashikon në planin tonë, plan i miratuar, për pandeminë. Plan përgjigje për dy vitet në vazhdim. Në raport me situatën ku jemi, është përgjigja ndaj situatës së variantin të ri Delta. Ajo çka kërkohet është angazhim i të gjitha palëve, me në krye vaksinimin. Qeveria shqiptare arriti që në një kohë të shpejtë, të niste vaksinimin. Ne u angazhuam që në fillim, për të pasur vaksinat dhe për t’i administruar ato. Sistemi shëndetësor është dedikuar në funksion të rritjes vaksinale. Në këtë kohë fjala kyçe është; vaksinim. Është përpjekje madhore e të gjitha qeverive. Përmes vaksinimit mund të ndalim impaktin negativ që mund të ketë virusi. Synojmë që të rrisim mbulesën vaksinale. Mbi 60% e moshave mbi 60 vjeç është e vaksinuar. Kemi garantuar që të vijnë në Shqipëri mbi 2 mln vaksina.”