Një avion i “American Airlines” që fluturonte nga Roma drejt Filadelfias u detyrua të devijojë emergjentisht në Dublin, pasi shumica e ekuipazhit të kabinës u ankua për marramendje dhe ndjenjë të fortë të të përzierave. Gjashtë nga nëntë stjuardët në bord shfaqën simptoma të papritura.

Fluturimi AA719 ishte nisur nga aeroporti i Romës Fiumicino në orën 12:57, por pas rreth katër orësh fluturim, kur avioni ndodhej mbi Oqeanin Atlantik, pilotët vendosën të ndryshonin kursin për arsye sigurie dhe të uleshin në aeroportin e Dublinit, ku në pistë i prisnin ekipet e emergjencës.

Sipas informacioneve paraprake, nuk dyshohet për helmim ushqimor apo sëmundje infektive. Hetimet janë përqendruar te një problem i mundshëm me presionin e kabinës, cilësinë e ajrit ose praninë e tymrave apo ndotësve.

Raportohet se shqetësimi ishte i përqendruar vetëm në disa pjesë të avionit, pasi pilotët nuk shfaqën simptoma dhe nuk pati sinjalizime për tym apo ulje të menjëhershme të lartësisë.

Një nga pistat kryesore të hetimit është një defekt në sistemin e kondicionimit të ajrit. Edhe pse Boeing 787 nuk përdor ajër të marrë nga motorët, por kompresorë që thithin ajër të pastër nga jashtë për ventilimin dhe presurizimin e kabinës, ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë e depërtimit të tymrave ose ndotësve nga pjesë të tjera të avionit ose nga mjedisi i jashtëm.

Një tjetër hipotezë është se avioni ka kaluar mbi zonat e përfshira nga zjarret në Francë dhe nuk përjashtohet që tymi të ketë ndikuar në cilësinë e ajrit në kabinë.

Në një deklaratë zyrtare, American Airlines konfirmoi se fluturimi u devijua për shkak të raportimit të një ere të pazakontë në bord.

“Fluturimi Romë–Filadelfia u devijua drejt Dublinit pas raportimit të një ere në avion. Si masë paraprake, personeli mjekësor priti avionin në portë. Stjuardët dhe një pasagjer iu nënshtruan kontrolleve mjekësore dhe më pas u lanë të lirë,” thuhet në njoftimin e kompanisë.

Një incident i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2019, kur fluturimi American Airlines 729 nga Londra drejt Filadelfias u devijua gjithashtu në Dublin pasi një produkt pastrimi u derdh në një nga kuzhinat e avionit, duke shkaktuar probleme shëndetësore te ekuipazhi. Në atë rast, dy stjuardë humbën përkohësisht ndjenjat dhe tre persona përfunduan në spital.

Sipas mediave italiane, rasti i fundit mund të sjellë edhe pasoja ligjore për American Airlines. Kompania mund të përballet me kërkesa për dëmshpërblim që kalojnë 100 mijë euro, vetëm në kuadër të të drejtave të pasagjerëve.

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka vendosur më herët se sëmundja e papritur e një anëtari thelbësor të ekuipazhit konsiderohet pjesë e operimit normal të një kompanie ajrore dhe nuk përbën automatikisht një “rrethanë të jashtëzakonshme”.

Për të shmangur përgjegjësinë, American Airlines duhet të provojë se incidenti u shkaktua nga një faktor i jashtëm, i pavarur nga menaxhimi dhe funksionimi i avionit.