DURRES– Ekipi i Teutës ka zhvilluar stërvitjen e fundit dje, para se t’i kthehet fushës së blertë pas festave të fundvitit. Siç raporton Panorama Sport kjo ishte hera e fundit që të gjithë lojtarët dhe stafi teknik ishin së bashku.

“Për një pjesë të mirë të lojtarëve, seanca e djeshme stërvitore ka qenë e fundit në radhët e “djemve të detit”, pasi me shumë gjasa disa prej tyre do të largohen. Presidenti nuk ka zbuluar se kush do të jenë emrat që do të largohen apo afrohen në skuadër gjatë merkatos, por sipas gjasave zëvendësimet do të nisin që nga pankina”,- shkruan Panorama Sport.

Pak ditë më parë, presidenti i djemve të detit u shpreh se nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e ekipit gjatë fazës së parë të ligës superiore, e prandaj ndryshimet në skuadër dhe në stafin drejtues janë mëse të pritshme.

Burime nga brenda klubit bëjnë të ditur për Panorama Sport se “mbrojtësit Osmani dhe Stafa janë vetofruar dhe kanë shprehur dëshirën t’i bashkohen ish-klubit të tyre. Tashmë pritet vetëm konfirmimi i presidentit Hasanbelliu, që ata të bëhen pjesë e skuadrës. Sezonin e shkuar si Stafa, ashtu dhe Osmani zhvilluan një edicion të shkëlqyer në radhët e Teutës, por u larguan menjëherë sapo kjo e fundit u shpall nënkampione”.

Reparti i mbrojtjes duket se ka qenë “thembra e Akilit” gjatë fazës së parë e për këtë pritet që të jetë ai që do të pësojë ndryshimet më të mëdha. Ndërkohë ende nuk dihet se kush do ta zërë vendin e trajnerit Gentian Begeja, pasi Hasanbelliu e ka bërë të qartë se nuk ka besim tek kreu i deritanishëm i pankinës së djemve të detit.

Ndërsa kanë filluar pushimet shumë prej lojtarëve nuk janë të qetë, pasi nuk dinë nëse do ta kenë ose jo vendin të sigurt në skuadër.

Duket se emrat që do largohen dhe afrohen në ekip gjatë merkatos së dimrit, do mund të bëhen publik vetëm në ditët e para të vitit të ardhshëm.