Partia Demokratike akuzon mazhorancën për blerje votash në Maqellarë të Dibrës, ku sot mbahen zgjedhjet për kryetar bashkie.

Përmes një deklarate për mediat, Shtabi Elektoral i Partisë Demokratike thotë se ka marrë informacion për shpërndarjen e parave, thasëve me miell si dhe përpjekjet për shantazhe ndaj votuesve gjatë natës së mbrëmshme nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejtorë e zyrtare të administratës publike, nën mbrojtjen e një grupi punonjësish të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga.

“Banorët e Maqellarës kapën në mesnatë duke shpërndarë lekë për blerje votash zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve Artan Isaku, vartës i shtetasit Dionis Ymeri, me detyrë Drejtor i Tatimeve për Dibrën. Dionis Ymeri është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike në prokurori më 1 shtator si anëtar i grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Konkretisht shtetasi Dionis Ymeri, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, është kallëzuar në Prokurori si personi përgjegjës i ngarkuar me detyrën e sigurimit të fondeve financiare për blerjen e votave”.

Shtabi Elektoral i Partisë Demokratike thotë se ky krim elektoral po gjen mbështetjen edhe nga policia.

 “Në vend të ndalimit dhe arrestimit në flagrancë të këtyre personave, segmente të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga, i kane dhënë mbështetje këtij krimi elektoral. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal për këtë grup të strukturuar kriminal të kallëzuar nga Partia Demokratike që nga data 1 shtator”, thuhet në deklaratën e PD-së.