Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës deklaroi se Rusia po përgatit një ofensivë të re të madhe dhe paralajmëroi se ajo mund të fillojë më 24 shkurt.

Oleksii Reznikov tha se Moska kishte grumbulluar mijëra trupa dhe mund të “provojë diçka” për të shënuar përvjetorin e pushtimit fillestar vitin e kaluar.

Sulmi mund të bëhej gjithashtu Ditën e Mbrojtësit të Atdheut të Rusisë më 23 shkurt, e cila feston ushtrinë.

Reznikov tha se Moska kishte mobilizuar rreth 500,000 trupa për ofensivën e mundshme.

Në shtator, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të përgjithshëm të rreth 300,000 trupave të rekrutuar, të cilat ai tha se ishin të nevojshme për të siguruar “integritetin territorial” të vendit.

Por Reznikov pohoi se shifra e vërtetë e rekrutuar dhe e vendosur në Ukrainë mund të jetë shumë më e lartë.

“Zyrtarisht ata njoftuan 300,000, por kur shohim trupat në kufi, sipas vlerësimeve tona është shumë më tepër”, tha ai për rrjetin francez BFM.

Ndërkohë, tre persona kanë humbur jetën në një sulm në qytetin Kramatorsk. Tetë të tjerë u plagosën në qytet në rajonin e Donetsk pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi, tha guvernatori i provincës. Shifra pritet të rritet ndërsa ekipet e shpëtimit kërkojnë nën rrënoja.

“E vetmja mënyrë për të ndaluar terrorizmin rus është ta mposhtim atë”, shkroi Zelensky në mediat sociale për sulmin. “Me tanke, avionë luftarakë, raketa me rreze të gjatë”, tha ai.

Ukraina ka përsërsëritur kohët e fundit thirrjet për avionë luftarakë për të ndihmuar në mbrojtjen nga sulmet ajrore pasi Gjermania, SHBA dhe Britania e Madhe ranë dakord të dërgonin tanke.