Kanë kaluar më shumë se 3 muaj, që nga koha kur parkimi publik me kate, i ndërtuar pranë Stacionit të Trenit në Durrës, është funksional.
Në janar, parkimi i automjeteve ishte falas, ndërsa duke nisur nga 1 shkurti u kthye me pagesë, por ajo që konstatojmë gjatë këtyre 3 muajve është fakti se 396 vendet e parkimit janë thuajse bosh. Në një qytet, ku qytetarët shtrojnë pyetjen çdo ditë se ku do ta parkojnë makinën, kjo duket absurde.
Në një sondazh që “DurrësLajm” bëri ditë më parë në rrjete sociale, tarifat e larta të aplikuara në të dhe vendi i papërshtatshëm në të cilin është ndërtuar renditeshin ndër arsyet kryesore pse qytetarët po e evitojnë parkimin me kate.
Sipas ekspertes së ekonomisë, Valbona Sakollari, tarifat ditore janë të pranueshme, ndërkohë krejt e kundërta ndodh me abonimin mujor në vlerën 8000 lekë, që korrespondon me 1/10 e pagës mesatare mujore, ndërkohë që duhet të ishte në vlerën 1-3% e pagës mesatare, njësoj si në vendet e BE-së..
“Përsa i përket tarifave ditore janë në nivel të pranueshëm. Tarifa mujore është ajo që është shumë e ekzagjeruar. Nëse do flasim për një tarifë mujore, si element bazë mund të merret paga mesatare mujore. Në rastin tonë, paga mesatare mujore është tek 83 mijë lekë në muaj, gjë që do të thotë që 1-3% e pagës duhet të ishte diku tek 8-15 euro në muaj. Tarifa 8000 lekë të reja në muaj është gati 10-fish e asaj që mund të përballojë normalisht një qytetar. Në opinionin tim është tarifë pak e lartë”,- thotë ajo.

Parkimi është thuajse bosh edhe gjatë ditës, në një kohë kur shumë qytetarë detyrohen të parkojnë gabim, duke rrezikuar marrjen e një gjobe, që varion 1000-2000 lekë të reja. Tarifa për parkimin deri në 8 orë është 400 lekë të reja, por ndërtimi i parkimit me kate disa qindra metra larg qendrës së qytetit duket se e bën atë të pa preferueshëm nga drejtuesit e mjeteve.
“Rregullimi i asaj që është bërë keq është shumë i vështirë. Në momentin që bëhet një projekt qëllimi kryesor është: Kush është politika publike që ai duhet të rregullojë? Në rastin konkret, parkingu ka pikëpyetjen: Kush është politika urbane që duhet të rregullojë?“,- thotë Sakollari.
I ndërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe i menaxhuar po nga kjo organizatë zhvillimore, parkimi me kate ka dështuar në këto muaj të jetë funksional për ata për të cilët u ndërtua; qytetarët e Durrësit. Pas hyrje-daljes problematike, të cilën po mundohet ta rregullojë përmes ndërhyrjes në rrugën “Iljaz Reka”, FSHZH duhet gjithashtu të bëhet administratore e mirë e këtij aseti publik.
“Bërja e një studimi fizibiliteti është A-ja e zhvillimit të një projekti. Aty ku do të ngrija pikëpyetje është aftësia e personave që përgatisin këto projekte. Ne kemi prej vitesh që vuajmë rrjedhjen e trurit, pra largimin e intelektualëve dhe përditë e më tepër ndjejmë mungesën e burimeve njerëzore, veçanërisht mungesën e burimeve njerëzore të specializuara. Dhe nuk është çudi që një projektues të ketë mangësi në formimin e tij dhe të ofrojë projekte jo cilësore”.
Në fund, pyetja që lind është: A do të kemi një parkim publik që do t’u shërbejë qytetarëve, apo një godinë me kate, e projektuar për të qëndruar bosh?!
M.B.





