Aktorët fitues të çmimit Oscar, Javier Bardem dhe Penelope Cruz, një nga çiftet më të famshme në kinema, po përgatiten të bashkëpunojnë përsëri në ekranin e madh. Projekti i tyre i ri është trilleri psikologjik “Bunker”, i drejtuar dhe i shkruar nga fituesi i çmimit Oscar, Florian Zeller.
FilmNation Entertainment ka marrë përsipër shpërndarjen ndërkombëtare të filmit, i cili do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2025, me Blue Morning Pictures dhe MOD Producciones si kompani prodhimi.
Ngjarja e filmit ndjek një arkitekt i cili ndërmerr ndërtimin e një strehe mbijetese për një miliarder të teknologjisë. Gruaja e tij, pas 17 vitesh martesë, fillon të vërë në dyshim marrëdhënien e tyre. Filmi shqyrton sfidat emocionale dhe morale me të cilat përballet çifti, duke nxjerrë në pah presionet e botës moderne dhe dilemat që ndikojnë në marrëdhëniet personale.
Florian Zeller krijoi skenarin posaçërisht për çiftin, të cilët janë bashkë për gati 17 vjet dhe kanë dy fëmijë.
“Doja të tregoja historinë e një martese dhe ndjeva nevojën për të punuar me një çift të vërtetë aktorësh. U tërhoqa menjëherë nga ideja e të punuarit me Javier Bardem dhe Penelope Cruz, dy nga aktorët më të talentuar dhe çiftet ikonike në kinema”, tha regjisori.
Të dy aktorët kanë luajtur bashkë në shumë filma gjatë 30 viteve të fundit, duke përfshirë “Jamón, Jamón”, “Vicky Cristina Barcelona” dhe “Everybody Knows”. “Bunker” po prodhohet nga Federica Sainte-Rose e Blue Morning Pictures, Fernando Bovaira dhe Simon de Santiago të MOD Producciones, ndërsa Alice Dawson do të jetë gjithashtu producente e filmit.