Pasi u largua në vitin 2017 nga lulishtja pranë Portit Detar, për t’i hapur rrugë projektit “Veliera”, busti i kolonelit holandez Lodewijk Thomson është rikthyer në një tjetër hapësirë publike të Durrësit.
Prej pak ditësh, busti i kolonelit holandez, që humbi jetën në Shqipëri është vendosur në shëtitoren “Taulantia”.
Kjo e fundit është kthyer në vendin ku po rivendosen skulpturat e parkut, që dikur ndodheshin në lulishten pranë portit.
Kujtojmë se fillimisht në shëtitore u vendosën skulpturat e 4 yjeve të muzikës botërore Mick Jagger, Tina Turner, Bob Dylan dhe John Lennon.
Por në fundshtatorin e vitit të kaluar, statuja e bronxtë e Tina Turner u dëmtua dhe në shëtitore kanë mbetur vetëm 3 veprat e artit kushtuar kolegëve të saj.
Ndërkohë nuk dihet nëse “rikthimi” i bustit të kolonelit Thomson do të shoqërohet në të ardhmen me nxjerrjen nga magazinat të busteve të dy figurave mjaft të rëndësishme të historisë së vendit tonë si Ismail Qemali dhe dom Nikollë Kaçorri, respektivisht kryetari dhe nënkryetari i parë i qeverisë së Pavarësisë.

Kush ishte koloneli Lodewijk Thomson?
Lodewijk Thomson lindi më 11 qershor 1869, në Voorschoten pranë Hagës, në një familje ushtarakësh. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa më pas u shpërngul në Rotterdam, ku përfundoi shkollën reale. Pas mbarimit të programit trevjeçar të shkollës pasuniversitare, ai u regjistrua në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Breda më 1884, ku në vitin 1892 u gradua toger dhe fitoi titullin “Kryqi i Nderit”.
Pas një sërë misionesh në ushtri në vende të ndryshme të botës, si dhe vlerësimit me një numër dekoratash për trimëri si “Urdhri i Luanit të Holandës”, “Kalorësi i Urdhrit me Shpatën e Suedisë”, etj. Në vitin 1913 qeveria hollandeze mori një kërkesë nga Fuqitë e Mëdha për të dërguar në Shqipëri oficerë, të cilët do të ndihmonin në organizimin e Xhandarmërisë së shtetit të ri shqiptar. Thomson ishte përzgjedhur nga Mbretëria e Holandës për këtë mision 3- vjeçar dhe së bashku me një tjetër oficer të lartë dhe 17 ushtarë holandezë mbërritën në Shqipëri, më 10 nëntor 2013 dhe koloneli Thomson filloi menjëher organizimin e xhandarmërisë shqiptare. Në maj 1914 në Shqipëri rebelët nisë kryengritjen dhe duhej një plan për izolimin që u hartua nga kolonel Thomson, i cili u emërua dhe komandant i rezistencës. Me këtë plan do shtypej kryengritja, por në betejën që u zhvillua më 15 qershor 1914, Thomson i cili udhëhoqi personalisht sulmin kundër kryengritësve u vra në përpjekje e sipër.
Në betejën e 15 Qershorit 1914, Kolonel Thomsoni mbeti i vrarë së bashku me 40 kapitenë dhe ushtarë shqiptarë. Shkrimtari i famshëm dhe diplomati i asaj kohe, Faik Konica, e quajti Thomsonin në funeralin e tij “një hero, një mbrojtës sypatrembur i Shqipërisë dhe një martir i lirisë”.
Më 15 qershor 2014, Bashkia e Durrësit në bashkëpunim më shoqatat “Miqtë e Thomsonit” dhe “Foleja Kombëtare Shqiptare” ka organizuar një ceremoni të veçantë në përkujtim të 100 vjetorit të rënies së kolonelit Thomson dhe patriotëve të tjerë shqiptarë. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryeministri i vendit Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro,etj.
M.B.







