40-vjeçari Dan Hutra që vrau motrën dhe kunatën e ish-bashkëjetueses në Paskuqan gjatë ditës së sotme, dyshohet të jetë është vrasësi i 31-vjeçares Etleva Kurti në Kamzë, që ndodhi po gjatë ditës së sotme.

Këto dyshime janë ngritur pasi të dyja ngjarjet kanë ndodhur në një hark kohor prej 30 minutave. Pas hetimeve ka rezultuar se një “Mercedes” i njëjtë me atë që ka udhëtuar Hutra, pasi ka ndodhur ngjarja në Paskuqan është drejtuar për në Kamzë.

Gjithashtu ai ka plagosur me thikë edhe një grua tjetër në Astir, që dyshohet se ka qenë ish-e dashura e tij, e cila fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Burime për Panorama TV bëjnë me dije se menjëherë pas plagosjes së ish-të dashurës, autori është drejtuar për në shtëpinë e ish-bashkëjetueses së tij, ku kreu edhe masakrën.

Ndërkohë policia po punon pë zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që fatmirësisht e plagosura është jashtë rrezikut për jetën.

“Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:15, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spital, shtetasja M. G., 40 vjeçe, e dëmtuar me mjet prerës, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se kjo shtetase është dëmtuar me mjet prerës, në zonën e quajtur “Astiri”. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë për këtë çështje.