Mesjavë e mbarë për anijet e peshkimit në Durrës. 17 anije peshkimi kanë dalë në det, gjatë pasdites së të martës, ndërsa paraditen e së enjtes 25 peshkarexha të tjera kanë kërkuar leje nga autoritetet për të dalë në gjueti.

Bujar Bala, kryedispeçer i Peshkimit, deklaroi për “DurrësLajm” se kushtet e motit janë optimale për gjuetinë në det, dhe gjatë 12 orëve të fundit kërkesat janë të mëdha. Si shqetësim kryesor është sasia e pakët e prodhimeve të detit që kapin në rrjeta peshkatarët.

Prej gati një jave, e gjithë flota e peshkimit ka qenë e lidhur në mol, për shkak të motit të keq që përfshiu Adriatikun me erë dhe fortunal. Gjatë kësaj jave koha është e mirë, dhe vetëm në fundjavë pritet që dyqanet dhe restorantet të furnizohen me peshk e prodhime të freskët deti.  

K.H.