Sllovakia i ka dorëzuar Ukrainës katër avionët e parë nga 13 avionët luftarakë të premtuar për Kievin, ka njoftuar ministria e mbrojtjes ditën e sotme.

Pas Polonisë, Sllovakia është vendi i dytë që ka miratuar furnizimin e Kievit me avionë MiG-29 duke dërguar 4 të tillë, ashtu si zyrtarët në Varshavë para disa ditësh.

Ministria Sllovake e Mbrojtjes tha se pjesa tjetër e avionëve do të dorëzohej në javët e ardhshme.

Qeveria e Ukrainës ka bërë kërkesa gjithnjë e më urgjente për furnizimin me avionë luftarakë muajt e fundit, teksa Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka thënë vazhdimisht se vendi i tij ka nevojë për avionë për të luftuar efektivisht kundër pushtimit rus.