DURRES, 2 maj 2013– Është rritur ndjeshëm fluksi i shqiptarëve që kthehen në Shqipëri me rastin e Pashkëve ortodokse. Në 24 orët e fundit në pikën kufitare të portit të Durrësit kanë hyrë për në vendin tonë rreth 900 shtetas shqiptarë e të huaj si dhe 400 automjete. Në policinë kufitare mësojmë se në krahasim me ditët normale të punës, fluksi ka pësuar një rritje të ndjeshme, ndërkohë që nga ana e doganës, policisë kufitare dhe autoritetit portual janë marrë të gjithë masat e duhura për të pritur fluksin e emigrantëve shqiptarë. Në ditët në vijim sipas agjensive të lundrimit, të cilët operojnë në portin e Durrësit, fluksi pritet të rritet edhe më shumë.
Mes personave që kanë hyrë në vendin tonë nga ana e policisë kufitare, u bë gjithashtu kapja e shtetasit në kërkim Jeno Leskaj, 47 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas është kthyer më datë 01 Maj nga Policia Italiane e Portit të Barit si person i kategorisë “Deportiv”, me një tjetër identitet dhe gjatë verifikimeve të kryera rezultuan gjeneralitetet e tij të vërteta si Jeno Leskaj, person i kërkuar nga Drejtoria e Policise Qarkut Vlore, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqesor Vlore, me vendim penal date 07.11.2008 e kishte denuar me 2 vjet burg per vepren penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Shtetasi në fjalë iu dorëzua për veprime të mëtejshme proceduriale shërbimeve të Drejtorisë e Policisë Qarkut Vlorë.
/e.a. Agjensia Lajmeve "Dyrrah"/





