Atmosfera festive e 100 vjetorit të pavarësisë është ndjerë përgjatë gjithë këtij muaji në shkollat e Durrësit, por më e theksuar kjo ka qenë javën që sapo u mbyll. Me dekorin festiv dhe programet artistike të përgatitura me rastin e këtij jubileu shkollat dukej sikur ishin vënë në garë me njëra tjetrën. Dita e premte shënoi dhe kulmin e këtyre përgatitjeve, pasi në shumë nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit u zhvilluan aktivitete të larmishme në kuadër të kësaj feste.
Krahas programit artistik me këngë, poezi, valle popullore dhe pjesë teatrale me tematikë patriotike, nxënës të ndryshëm kishin përgatitur edhe qëndisma apo punime të ndryshme dedikuar këtij 100 vjetori. Ashtu si Saimir Strati, disa nxënës të shkollës “Marie Kaçulini” kishin menduar që me lëvozhga stikash, kunja dhëmbësh dhe bojëra uji të konturonin Shtëpinë e Flamurit në Vlorë. Duket se ky 100 vjetor, përveç ndjenjës së krenarisë kombëtare nxiti tek nxënësit edhe shpirtin e tyre artistik.
“Marie Kaçulini”, në shesh për të festuar pavarësinë
Shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” gjatë gjithë javës që sapo u mbyll ka organizuar aktivitete të ndryshme në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Nxënësit e saj kanë hapur një ekspozitë me punime të ndryshme në ambientet e shkollës. Sot më datë 26 nëntor në orën 9:00, nxënësit e ciklit të ulët të kësaj shkolle të veshur kuq e zi do të dalin tek shëtitorja “Liria”, për të vazhduar traditën e nisur tre vite më parë. Drejtoresha e shkollës Genciana Cako tregon se tre vite me parë, në kuadër të festimeve të nëntorit, shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” planifikoi një platformë të gjerë për realizimin e veprimtarive që si objektiv kishin edukimin e ndjenjës së atdhedashurisë, krenarinë për kombin dhe nderimin e vlerave kulturore dhe historike të vendit.
Ajo shprehet se grupi i punës mendoi që veprimtaritë duhet t’i përgjigjeshin dëshirave dhe shijeve të nxënësve, larg slloganeve dhe formalizmave. Sipas saj në thelb të aktiviteteve ishte një konkurs i madh mes klasave, që përfshinte shpalosjen e talenteve në pikturë, këngë, kërcim, prezantim, interpretim, si dhe punime në Power-Point. Ideja u pranua menjëherë nga nxënësit dhe përgatitjet për festën ishin tema kryesore e impenjimit të tyre për rreth dy javë. Ashtu siç vepruan më 26 nëntor 2009, ashtu do të veprojnë edhe sot nxënësit e kësaj shkolle. “26 Nëntori është dita e ngritjes së flamurit në qytetin e Durrësit dhe do të duhet që nxënësit të shkojnë pikërisht në vendin ku u krye ky akt madhor për vendin dhe qytetin, në sheshin e qytetit.
Mësuesit e përkrahën menjëherë idenë dhe u deshën vetëm pak minuta që fëmijët të organizoheshin dhe një lum kuq e zi nxënësish të mbushte bulevardin e qytetit me flamuj dhe pankarta në duar. Në krye të të gjithëve ishtë një vajzë e klasës së 7b me kostumin tradicional të qytetit dhe krah saj valëvitej një flamur i madh. Vetëm në këtë moment e kuptuam se emocionet në shkollë as që krahasoheshin me atë që po provonim në ato çaste”,- thotë Cako.
Sot, në orën 11:00 shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” ka organizuar një aktivitet tek Pallati i Sportit “Ramazan Njala” në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Një koncert ky i përgatitur nga grupi artistik i shkollës nën kujdesin e mësueses së muzikës Antoneta Rexhepi. Në përfundim të këtij koncerti do të shpërndahen dhurata për fëmijët e varfër dhe jetimë, nxënës të kësaj shkolle.