Pas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, sot Partia Demokratike dorëzoi në SPAK një kallëzim për shembjen e Teatrit Kombëtar, pasi akuzon se janë shkelur disa ligje. Selia blu ka kallëzuar kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun Veliaj, kryetarin e këshillit bashkiak, drejtuesen e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në total 22 zyrtarë.
“Ne e dorëzuam padinë për shembjen e paligjshme të teatrit në SPAK, sepse besojmë se dikush duhet të shkojë në burg për krimin e kryer.
Përveç shërbëtorëve që kanë hedhur firmat në vendime të paligjshme, Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të ndëshkohen nga drejtësia, sepse kanë vepruar me Teatrin si një organizatë kriminale. Ata kanë shkelur çdo ligj për të çuar përpara projektin e grabitjes së tokës publike të Teatrit dhe pas Teatrit.
Një drejtësi e pavarur e ka shumë të thjeshtë të faktojë këtë të vërtetë dhe t’i vërë prangat Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Një vendimmarrje e tillë nuk është në kompetencën e këshillit Bashkiak të Tiranës” tha ish-deputetja demokrate Albana Vokshi.
Kallëzimi i PD-së
1. “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i K.Penal,
2. “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i K.Penal, “Shkatërrimi i veprave kulturore”, parashikuar nga neni 160 i K.Penal,
3. “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal,
4. “Shkelja e barazise se pjesëmarrësve ne tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i K.Penal,
5. “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga
6. neni 259 i K.Penal,
7. “Korrupsioni pasiv i funksionareve te lartë shtetërorë ose i te zgjedhurve vendore”, parashikuar nga neni 260 i K.Penal,
8. “Organizata kriminale”, parashikuar nga neni 333 i K.Penal
9. “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i K.Penal.
Kundër:
Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë;
Erjon Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tirane;
Arbjan Mazniku, Alban Dokushi, Taulant Tusha, Erindi Bejko, Jonida Halili, Julinda Dhame, Ditjon Baboci, Dhimitraq Furxhi, Frida Pashako, Berta Piro, Laura Deliu, Elena Jaupaj, Jetmir Hasa, në cilësinë e nëpunësve civilë pranë Bashkisë Tiranë dhe propozues për shembjen e Teatrit Kombëtar;
Toni Gogu, Kryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë;
Ing. Agron Hysenlliu, Ing. Afrim Cenga, Ing. Artur Hasantare, Ing. Olsi Nunaj, Ing. Elbarina Nunaj, në cilësinë e funksionarëve të Institutit të Ndërtimit.
Dallëndyshe Bici, Kryeinspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit





