PD kallëzon në SPAK kryetaren e Parlamentit, Lindita Nikolla për “shpërdorim detyre”.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e paralajmëroi disa ditë më parë që do të depozitonte kallëzim penal në SPAK ndaj kryetares së Kuvendit, Nikolla me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Kallëzimi bëhet pas revokimit të vendimit të Bashës nga ana e Bardhit, që riktheu në grupin e PD-së deputetët e përjashtuar.

“Ka cënuar në mënyrë të vazhdueshme funksionimin e grupit parlamentar të PD-së duke mos zbatuar vendimet për kryetarin dhe kryesinë e grupit, duke shkarkuar dhe zgjidhur marrëdhëniet e punës ndërmjet grupit dhe këshilltarëve të tij, duke pezulluar në periudhën tetor-mars të gjithë veprimtarinë administrative dhe parlamentare të grupit, duke njohur si kryetar grupi deputetët të cilët me vendim të organeve drejtuese të partisë nuk janë pjesë e saj. Zbatimi i kërkesave apo njoftimeve të deputetëve të caktuar, të cilët nuk janë pjesë e PD-së dhe e grupit të saj parlamentar, duke deformuar vullnetin politik të PD-së, përbëjnë sjellje me dashje”, theksohet në kallëzimin e PD-së.