Një pedagog i Universitetit të Durrësit "Aleksandër Moisiu", në faqen zyrtare online të “Unë flas” është ankuar paraprakisht për mënyrën sesi do të zhvilloheshin zgjedhjet për dekanë në këtë universitet. Ai ka denoncuar një praktikë të konstatuar dhe nga komunikimet me pedagogë të ndryshëm të universitetit. Sipas ankesës së tij, pedagogët janë porositur që votat t'i hedhin pa asnjë shënim në kutitë e votimit, në mënyrë që të skualifikohen kandidatët për dekanë dhe dekanët e emëruar të mbajnë postet që kanë. Në ankesën e tij, ky pedagog e krahason universitetin e Durrësit me një gjimnaz politik, pasi sipas tij, në këtë universiteti është ngritur një strukturë kontrolluese me të cilën "ndëshkohen" pedagogët që nuk binden.
Ankesa e pedadogut të Universitetit "Aleksandër Moisiu":
Ju lutem, drejtojeni vëmendjen tuaj tek Universiteti "Aleksandër Moisiu" në Durrës, sepse po zhvillohen për të dytën herë, pas 7 muajsh zgjedhjet e pjesshme. Ky universitet publik ka 80% të vendeve të drejtimit (Dekan dhe Përgjegjës departamentesh) me individë të emëruar apo të komanduar nga rektori Mithat Mema. Universiteti i ngjan më shumë një gjimnazi politik sesa një Universiteti me liri akademike, me drejtues të zgjedhur etj. Rektori ka ngritur një strukturë kontrolluese dhe sa herë ka probleme i çon njerëzit në Komisionin e Etikës. Në shkurt të 2012 kur u bënë zgjedhjet për Rektor ndodhën shumë ngatërresa. U përplasën jo vetëm tre kandidatë, por u fut dhe politika në mes. Me urdhër nga lart u caktua Mithat Mema për të fituar dhe u bënë gjithfarë makinacionesh derisa ai fitoi me ndihmen e deputetit të Durresit, i cili kërcënoi me njerëzit e tij pedagogët për të votuar për rektorin e ri. Ai komandon universitetin me Dekanë të emëruar, të marrë nga rruga, ose pa asnjë përvojë akademike. Per t'ia arritur qëllimit, Rektori i ka urdhëruar këta individë të bëjnë presion mbi pedagogët njësoj si para 7 muajsh dhe presioni mbi pedagogët, administratën, etj, po jep efektin e vet të mbrapshtë. Të shoqëruar me një Rregullore të korrigjuar për së dyti herë, kandidatët e shkretë nën presion e kanë të vështirë të arrijnë kufirin artificial prej 33.33% kur kandidojnë dy ose më shumë vetë dhe mbi 50% kur kandidon vetëm një njeri. Në këtë rast kandidatët e emëruar nga Rektori nuk kandidojnë, sepse nuk kanë tituj shkencorë. Këta Dekanë të emëruar kanë porositur duke ju bërë presion pedagogëve që të hedhin votën pa asnjë shënim. Kjo ka për pasojë që vota pa asnjë shënim e hedhur do të numurohet si votë kundër edhe njërit edhe tjetrit kandidat. Kështu që asnjë kandidat nuk do të fitonte. Për pasojë Dekani i emëruar do të qëndronte në postin e pamerituar me bekimin e Rektorit, i cili thotë që “unë nuk di gjë ç'po ndodh, jam i paanshëm”.
Nesër me dt. 16 do të votohet për Dekanët. Megjithatë në Fakultetin e Studimeve Profesionale të tre kandidatët e këtij Fakulteti dhanë dorëheqjen duke bërë një Ankimim tek Rektori, por dhe në Ministrinë e Arsimit, si pasojë e këtij presioni, sepse në vend që të bënin fushatë të rregullt, Dekani i emëruar Mehdi Shehu, duke shkelur Rregulloren e zgjedhjeve dhe duke shpërdoruar detyrën, duke mos kandiduar dot për shkak se nuk ka titullin, po vazhdon `anti-fushatën` për të mos fituar asnjëri në mënyrë që të qëndrojë vetë. Tre kandidatët kanë dhënë dorëheqjen si akt dinjitoz për të kundërshtuar parregullsitë e rënda dhe klimën e rëndë në fushatën zgjedhore.
KY MBETET NJË TURP I PËRSËRITUR PËR UAMD, SEPSE PIKËRISHT NË KËTË FAKULTET QË NGA VITI 2008 E DERI MË SOT ASNJËHERË NUK ËSHTË ZGJEDHUR NDONJË DEKAN ME VOTA, POR VETËM JANË EMËRUAR NGA REKTORI.
Marrë nga “uneflas.com”