Është arrestuar në Kosovë njëri prej pjesëtarëve të grupit kriminal në lidhje me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar të vitit 2020.

I shumëkërkuari u arrestua pas bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe ILECU-së, Kosovë në kuadër të operacionit “Pengmarrja”, ku në momentin e kapjes, ka paraqitur dokumentet e një shtetasi tjetër.

Ai ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është njëri nga organizatorët e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jani Prengës në Kamëz.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Gjithashtu, Gjykata e Apelit të Shkodrës, në vitin 2016, e ka dënuar me 3 vjet burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 2 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burgim), për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Pritet që 29-vjeçari të ekstradohet drejt Shqipërisë.

 Çfarë dihet për rrëmbimin e Jani Prengës?

Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz.

Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.

Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.