Ergys Peposhi, ishte “heroi” i ndeshjes së Teutës kundër Partizanit. Ai shënoi një nga golat më të bukur të kampionatit, teksa arriti t’u dhurojë fitoren durrsakëve dhe t’i ndihmojë në luftën për mbijetesë. Sulmuesi shprehu besimin se ekipi i tij do të jetë edhe më i fortë pas pushimeve të Kombëtares.

Ergys, sa vlera merr kjo fitore kundër Partizanit?

Ishte një ndeshje tepër delikate. Ne na duhej patjetër që ta fitonim këtë ndeshje dhe falë Zotit morëm tri pikët. E rëndësishme ishte se u futëm në fushë të mobilizuar dhe i kërkuam tri pikët.

E prisnit që goli i tetë i juaji të ishte kaq i bukur?

Të jem i sinqertë, nuk e prisja, pasi është një gol që nuk shënohet shpesh dhe shumë i vështirë në realizim. Është gol i veçantë, prandaj jam shumë i lumtur që u shënua, jo vetëm për golin në vetvete, por edhe për faktin që ndihmoi ekipin të fitojë, pasi në atë moment ishim në presion, sepse rezultati ishte 0-0. Jam shumë i lumtur, edhe për golin, edhe për fitoren. Ky është goli me i bukur që kam realizuar ndonjëherë.

Vetëm 48 orë stërvitje dhe gjetët rrjetën. E prisnit?

Siç e dini dhe ju, kam bërë vetëm dy ditë stërvitje, sepse e kisha këmbën si të rënduar. Jam shumë i lumtur dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Sezoni është i gjatë dhe dua që të ndihmoj skuadrën për të arritur objektivat. Tani kemi disa ditë pushim dhe më pas rikthehemi në fushë me një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Tiranës, ku duhet të bëjmë mirë. E dimë që është e vështirë, por do të punojmë shumë, sepse duam të vazhdojmë përpara.

Mund të na tregoni ndryshimin e kësaj Teute me atë të vjetshmen?

Mund të them se jemi forcuar, edhe pse vjet ishte gjithashtu ekip i fortë. Duke parë afrimet e janarit, kemi më shumë cilësi. Tani njihemi edhe më mirë me njëri-tjetrin, pasi një grup jemi edhe nga sezoni i shkuar. Kemi edhe eksperiencën e vjetshme shumë të mirë, ku vetëm në ndeshjen e fundit humbëm mundësinë për një vend në Europë. Kemi më shumë besim dhe jemi më të fortë.