Për herë të parë këtë vit, Qendra Shëndetësore Verore pranë Kishës së Shën Ndout në Laç po ofron shërbim shëndetësor 24 orë gjatë 13 ditëve të martë të pelegrinazhit.

Duke nisur nga muaji qershor, kjo qendër do të vijojë funksionimin si qendër shëndetësore verore, duke garantuar kujdes shëndetësor të pandërprerë 24/7 gjatë gjithë sezonit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cila vizitoi këtë të mërkurë qendrën verore, vlerësoi rolin në rritje të turizmit fetar dhe ndikimin e tij në intensifikimin e fluksit të vizitorëve, duke theksuar se zgjerimi i shërbimit shëndetësor është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kësaj dinamike.

Ajo nënvizoi se qendra tashmë ofron shërbim të pandërprerë gjatë martave të pelegrinazhit, duke siguruar reagim të menjëhershëm dhe asistencë mjekësore për çdo rast.

Ministrja Sala u ndal edhe te rritja e kapaciteteve me personel mjekësor për qendrat shëndetësore verore, duke evidentuar faktin se në thirrjen e fundit ka patur interes të shtuar nga mjekë dhe infermierë për të shërbyer në këto qendra përgjatë sezonit veror.

“Është fakt që nga 300 vende vakante për personel mjekësor dhe infermieror të lançuar në thirrjen e fundit kemi patur 700 aplikime. Ky është një lajm i mirë pasi tregon dedikimin, rritjen e interesit, përkushtimin, por dhe besimin në portalin e punësimeve në shëndetësi”, u shpreh ministrja Sala.

Duke theksuar risinë e këtij viti për ofrimin e shërbimit 24-orësh, ministrja nënvizoi rëndësinë e progresit të vazhdueshëm në përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët. Ajo bëri të ditur se një tjetër risi është edhe qendra shëndetësore në Llixhat e Elbasanit, e cila do të ofrojë shërbim gjatë fundjavave, për t’iu përgjigjur fluksit të shtuar të vizitorëve që frekuentojnë këtë zonë kurative.

Qendra Shëndetësore Verore pranë Kishës së Shën Ndout mbulon nevojat për kujdes shëndetësor parësor dhe urgjencat e lehta, si dhe duke garantuar asistencë të shpejtë dhe profesionale për pelegrinët dhe turistët.

Ndërkohë, 36 qendra shëndetësore verore, të shtrira nga veriu në jug të vendit, do të jenë plotësisht funksionale 24/7  tëpajisura me kapacitetet e nevojshme mjekësore, duke garantuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të aksesueshme për qytetarët dhe vizitorët gjatë gjithë sezonit turistik.