Që nga fillimi i këtij muaji, pranë zyrave rajonale të punësimit në disa rrethe të vendit kanë nisur të plotësohen formularët e regjistrimit për pjesëmarrjen në kurset e formimit gjuhësor dhe profesional për qëllime punësimi në Itali të shtetasve shqiptarë. Për të ndjekur nga afër këtë proces drejtori i Zyrës së Koordinimit Vendor të Ministrisë Italiane të Punës në Tiranë, Antonio Fantasia, vizitoi Zyrën rajonale të Punësimit në Durrës dhe zhvilloi një takim me drejtoreshën e këtij institucioni Dejana Burgija. “Faza e parë e këtij memorandumi mirëkuptimi, të nënshkruar në datë 19 korrik 2011 përfundoi në muajin mars dhe rezultoi e suksesshme. Për këtë arsye dy ministritë respektive të punës e kanë parë të arsyeshme t’i japin mundësi më shumë punëkërkuesve shqiptarë që duan të aplikojnë për t’u punësuar në Itali. Është një proces shumë i rëndësishëm dhe po ndiqet nga të dyja palët me mjaft interes. Aplikimi i të gjithë të interesuarve bëhet pranë sporteleve të emigracionit të zyrave rajonale të punës dhe aty atyre u ofrohet e gjithë asistenca e nevojshme për të plotësuar formularin e nevojshëm”,- tha drejtoresha Burgija.
Kjo është faza e dytë e këtij procesi dhe falë tij mund të përzgjidhen 190 shtetas shqiptarë, të cilët do të kenë mundësi të marrin pjesë në kurset e formimit që do të realizohen nga shoqëritë Adecco Italia SPA, Adecco Formazione dhe Synthesis. Entet italiane angazhohen në këtë rast të lehtësojnë punësimin e të paktën 50% të pjesëmarrësve pas përfundimit të kursit të formimit. Të drejtën për të plotësuar këto formularë e gëzojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç, nuk janë të dënuar, nuk janë të pajisur me dokumenta të rregullta italiane etj. Në këtë fazë të dytë të këtij procesi do të kenë prioritet ata persona që njohin profesionin e marangozit, punuesit të metaleve, elektriçistit, saldatorit, sekretarinë etj.
Përfaqësuesi i Ministrisë italiane të Punës në Tiranë, Antonio Fantasia, u shpreh se “megjithëse shtetasit shqiptarë prej dy vitesh lëvizin lirisht në Europë ata kanë të drejtë të shkojnë në këto vende vetëm si turistë, pa të drejtë punësimi. Ndërkohë ky memorandum mirëkuptimi u jep atyre mundësi të marrin një vizë për motive punësimi, nëse një punëdhënës në Itali do të jetë i gatshëm t’i punësojë ata. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për punësim sezonal, por për punësim afatgjatë”. Afati i fundit i plotësimit dhe dorëzimit të formularëve është data 24 tetor.
Përzgjedhja
Sipas drejtori i Zyrës së Koordinimit Vendor, Antonio Fantasia kurset profesionale të cilave do t’iu nënshtrohen falas 190 shtetas shqiptarë kryhen mbi bazën e nevojave dhe tregut të punësimit në Itali. “Kjo është një mundësi jo vetëm për gjetjen e një pune, por edhe për pajisjen e këtyre shtetasve me leje qëndrimi pa afat.
Tashmë Ministria italiane e Punës i ka ndyshuar politikat e saj migratore, pasi nuk ka më Dekret Fluksesh, instrumenti që rregullonte hyrjen e shtetasve të huaj në tregun italian të punës, por tani synohet drejt një qasjeje cilësore dhe profesionale të shtetasve të huaj në Itali. Nëse më parë përfitonin ata që aplikonin të parët dhe penalizoheshin ata që aplikonin pasi plotësohej kuota e përcaktuar, tani nuk ndodh më kështu”,- tha ai.
Kjo është një mundësi jo vetëm për gjetjen e një pune, por edhe për pajisjen e këtyre shtetasve me leje qëndrimi pa afat. Tashmë Ministria italiane e Punës i ka ndyshuar politikat e saj migratore, pasi nuk ka më Dekret Fluksesh, por tani synohet drejt një qasjeje cilësore dhe profesionale të shtetasve të huaj në Itali
Kandidatëve që do të plotësojnë formularët u këshillohet të specifikojnë në formularin e regjistrimit, çdo vërtetim apo çertifikatë të marrë përsa i përket njohjes së gjuhës italiane. Procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet në tri faza: 1) para-zgjedhja e bazuar mbi kandidaturat; 2) intervista përzgjedhëse tekniko-motivuese; 3) përzgjedhja përfundimtare për punësimin në Itali, që do të bëhet e bazuar në ndjekjen e kurseve të formimit dhe në rezultatet e provimeve.
Projekti mes Shqipërisë dhe Italise nisi në mars të këtij viti dhe u ofroi mundësi 220 shqiptarëve të mësonin nëpërmjet kurseve gjuhën italiane dhe një profesion. Nga ata, deri tani, janë punësuar në Itali rreth 80 persona dhe pjesa tjetër do të niset për t'u punësuar brenda vitit. Sipas Fantasisë, interesimi i madh i treguar nga punëkërkuesit shqiptarë, por edhe nevojat e tregut të punës në Itali krijojnë mundësitë që ky proces të vijojë edhe vitin e ardhshëm.
Ai theksoi se ndërsa Ministria e Punës së vendit të tij ka hapur deri tani 4 zyra përfaqësimi në vende të ndryshme, Shqipëria është shteti që po bashkëpunon më mirë në këtë drejtim. Gjithsesi, sipas tij, e rëndësishme për ata që aplikojnë është njohja e gjuhës italiane, si për ndjekjen e kurseve të formimit profesional ashtu edhe për punësimin e mëtejshëm në vendin fqinjë. “Numri i personave që do të ndjekin këto kurse profesionale dhe profesionet që do të kërkohen do të jenë në varësi të kërkesës së tregut italian të punës”,- tha Fantasia. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se po punohet për rregulla të reja përsa i përket të punësuarve sezonalë.
Kështu sipas tij për ata shtetas që kanë punuar për dy sezone rresht në Itali do të ketë modalitete më të lehtësuara, me pak fjalë do të mund të përfitojnë shumë më shpejt leje qëndrimi sesa aplikantët e tjerë. Në këtë mënyrë do të synohet për të pasur punëtorë sezonalë fiks në bazë të kërkesave të tregut italian, por edhe të punëkërkuesve.