Komisioni i Vlerësimit të Aplikantëve ka përfunduar marrjen në pyetje të 274 kandidatë në garë për të qenë në krye të një prej 48 komisariave të policisë në vend. Ky proces nisi më 5 Dhjetor me 26 të interesuarit e parë, sipas rendit alfabetik, për të vijuar për 6 ditë me radhë.

Në fazën e intervistimit, kandidatët me gradën nënkomisar, komisar dhe kryekomisar në 20 minuta shpalosën platformën e tyre si dhe iu përgjigjën pyetjeve të komisionit, në përbërje të së cilit ishin tre drejtuese në radhët e Policisë së Shtetit.

Tashmë me përfundimin e këtij procesi, komisioni pritet të publikojë brenda kësaj jave vlerësimin me pikë për secilin prej garuesve. Më pas, kandidatët që kanë pretendime lidhur me vlerësimin e marrë, kanë dy ditë afat për të ankimuar rezultatin e komisionit.

Sipas rregullores, përzgjedhja e shefave të rinj të komisariateve bëhet mes aplikantëve që janë vlerësuar me mbi 70 pikë. Emrat e rinj të 48 komisariateve zgjidhen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, proces ky që sipas burimeve pritet të përfundojë brenda javës së ardhshme.