Raundi i dytë i negociatave mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës u zhvillua sot në pallatin Çirağan në Stamboll dhe përfundoi pas rreth 1.5 orësh diskutimesh intensive.
Bisedimet u hapën me një fjalim të shkurtër nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i cili vuri në dukje rëndësinë e përpjekjeve ndërkombëtare për vendosjen e paqes në Ukrainë.
Ai theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në këtë proces, duke deklaruar: “Vendosmëria e z. Trump për të rivendosur paqen ka hapur një dritare të re mundësie.”
Fidan u shpreh se në këtë raund u diskutua përgatitja e një takimi të mundshëm mes liderëve të dy vendeve, ndërsa nënvizoi se objektivi kryesor mbetet arritja e një paqeje të qëndrueshme. “Turqia është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për të lehtësuar këtë proces,” deklaroi ai.
Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte edhe marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve – 1.000 persona nga secila palë – një vendim që ishte arritur në raundin e mëparshëm të negociatave më 16 maj, po ashtu në Stamboll.
“E gjithë bota po ndjek me vëmendje këto bisedime. Shpresojmë në rezultate konkrete që do të na çojnë më pranë paqes,” shtoi ministri turk.
Pritet që në orët në vijim të ketë deklarata zyrtare nga të dyja palët për të bërë publike temat konkrete të diskutuara dhe çdo marrëveshje të mundshme që mund të jetë arritur.