Qeveria Rama përgatitet të japë një tjetër koncesion për ndërtimin e një porti jahtesh. Partia Demokratike ka denoncuar sot një kontratë koncesionare/Partneritet Publik Privat për ndërtimin e portit të jahteve “Marina Rodon”, propozim i kërkuar.
Porti i jahteve, ofertat për ndërtimin e të cilit do të paraqiten nga privatët deri në datë 6 shtator 2019, parashikohet të ndërtohet në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg Kepit te Rodonit, pjesë kjo në kufirin ndarës mes qarkut të Durrësit dhe atij të Lezhës. (Lexo kontratën këtu.)
Megjithëse qeveria Rama pati deklaruar kohë më parë, se nga muaji korrik nuk do të lidheshin më kontrata PPP (kërkesë kjo që FMN ia parashtroi Këshillit të Ministrave në vizitën e fundit në vendin tonë), kontrata që propozohet për ndërtimin e portit të jahteve tregon se ofertat e pa kërkuara janë ende në fuqi.
Në kontratën e propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku, specifikohet se afati i përdorimit nga privati do të jetë 35 vite.
Megjithëse koncesionet për ndërtimin e portit të jahteve nuk kanë rezultuar deri më tani efektive (në shtator 2015 u firmos kontrata koncesionare për ndërtimin e portit të jahteve tek Shëtitorja “Taulantia” në Durrës, me vlerë 15 milionë dollarë por deri më tani punimet nuk kanë nisur), qeveria Rama bëhet gati të japë një tjetër koncesion në këtë fushë. A do të jetë dhe ky një koncesion që do të jepet dhe zbatimi i tij në praktikë do të varet se kur kompania fituese e tenderit do të gjejë paratë për investimin, kjo mbetet për t'u parë në të ardhmen. 4 vite nga dhënia e koncesionit për portin e jahteve në Durrës, askush nuk di të thotë se kur projekti do të nisë nga zbatimi.
Përveç portit të jahteve në Orikum të Vlorës, i cili është i certifikuar, si porte provizore për ankorimin e jahteve po përdoren kalatat portuale në Durrës apo Sarandë. Vitet e fundit, prania e jahteve dhe megajahteve në vendin tonë është rritur ndjeshëm, por infrastruktura e ofruar në vendin tonë është ende larg standarteve të vendeve fqinjë si Greqia apo Mali i zi.
Në një shkrim të botuar nga DurrësLajm dy javë më parë, nënvizohej dështimi 5 herë i projekteve për ndërtimin e portit të jahteve përgjatë vijës bregdetare të Durrësit. Tentativa e parë për ndërtimin e një portit jahtesh në Durrës nisi në vitin 1994 me portin e gjermanit dhe përgjatë 25 viteve, shumë pak gjë ka ndryshuar në këtë drejtim. Jahtet e shumtë që mbërrijnë në Durrës ankorohen në kalatën nr.4 të portit më të madh në vend, në mungesë të një portit të mirëfilltë për mjetet lundruese turistike.
M.B.





