Është momenti ta nderojmë Perikli Jorgonin,  pasi është një ndër autoritetet  e përkthimit në disa gjuhë të huaja, redaktori me kulturë dhe krijuesi i letrave shqipe … lektor i shqipes dhe i letërsisë …

Vdekja e tij aksidentale u njoftua pasditen e së mërkurës “së lumtur” (12.12.2012) konçidencë, që  nuk e ndihmoi …

Perikli Jogoni u nda nga jeta në moshën 75 vjeçare, por vepra e tij nuk ka vdekur as nuk mund të perëndojë kurrë… Rreth një vit e gjysëm më parë zhvillova me të një intervistë, ku Jorgoni flet mbi jetën dhe pasionet e tij, mbi angazhimin e pandërprerë në fushën e letërsisë…

Në  vitet ‘70 –’80-të ju keni qenë redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri“ Tiranë, tek redaksia e librit të huaj dhe poezisë shqipe. Censura ishte në kulmin e saj dhe letërsia e realizmit socialist ishte futur në hullinë konformiste. Ju a keni qenë antikonformist?

Lufta ime ndaj  konformizmit ka qenë e  heshtur …Asgjë për vetëmburrje. Nuk kam qenë tip konfliktual, por as ndërgjegjia nuk më vret, pasi nuk kam kallzuar për asnjë krijues e aq më tepër, letrar mustaqe sapodirsur, që rrekej nëpër sprovat moderniste… 

Ju a edhe në atë kohë vlerësoheshit si një nga njerëzit me kulturë. Përkthenit madje, lexonit literaturë letrare dhe filozofike në mbi katër gjuhë të huaja. A ishte familja që ju kishte kultivuar të tillë?

Më duhet të jem i sinqertë. Në shtëpinë botuese kishte përkthyes të zotë. Ishin mjeshtër të fjalës, të cilët nuk i mbulon dot mjegulla gri e harresës, e as tamatamet sofiste … Unë kam qenë njëri përkthyes krahas tyre. Koleg i mirë me ta që nuk e kurseja asnjë libër të bibliotekës së madhe trashëguar nga im at Jorgji Jorgoni, i cili edhe pse mjek pediatër, librat i kishte për zemër dhe ne, të tre djemve të tij na e futi në gjak kulturën.

A nuk tentuat ju, asnjëherë, të krijonit hapësira ndryshe në kulturë apo të kritikonit çensurën?

E kam refuzuar një konferencë shkencore për letërsinë kontemporane  në Gjermaninë Perëndimore aty nga vitet ’80-të, me idenë se: Ne njohim letërsinë klasike e romantike gjermane, (unë në orgjinal) Por jo letërsinë moderne dhe nuk është ky një përfaqësim dinjitoz… Me siguri hamendjet kanë qenë të ndryshme dhe epitetet, por mendoja se dhashë një leksion për barrierat që i bënte diktatura kulturës kontemporane.

Filozofia që ju ka udhëhequr në jetë? 

Njerëzit e letrave  janë humanistë e socialë si mjekët. Në fakt ato që më kanë shoqëruar gjithë jetën janë dy sentenca të  babait tim, Jorgji Jorgonit. Im at studioi për mjekësi në Grac, Austri, në kohën e Mbretërisë,  ku u diplomua shkëlqyer. Madje, pati një ofertë për të qendruar si mjek atje. Ai i përket ardhës së intelektualëve patriotë  si: Çabej, Poradeci etj.  Përgjigjia e tij ishte: “Këtu më kanë sjellë lotët e nënave shqiptare dhe profesionin tim human, dua t’jua kushtoj atyre”….

Dhe u bë pionier i parë i pediatrisë shqiptare. Madje, në luftën për çlirimin e  vendit ishte mjek partizan në çetën e Pezës. Pas lufte i propozuan të punonte në Ministrinë e Shëndetësisë. “Ministria ime është pavioni i fëmijëve të sëmurë”,– u përgjigj ai.

Pra ju jeni mirë aty, ku  ndjeheni të aftë, bëni ate që mundni, por me shpirt  dhe sillni kontribute në kulturën shqiptare?

Po besoj se e kam nisur mirë; që në fillimet si stazhier; (mësues i shqipes dhe letërsisë në Frashër të Fierit edhe derisa  dola  në pension, në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë.

Fillesa juaj është një detaj fëminor, kur ju gjetët dylbitë në bodrumin –bibliotekë.  Besoj që atëhere shprehët kërshërinë për  të parë botën…

(Qesh..) Po, po, dylbitë e tim gjyshi më çuan në bodrum. Atje shfletova librin e parë me poezi të Emineskut, që është dhe përkthimi im i parë nga rumanishtja.

Çfarë surprize i keni rezervuar përdoruesve të kulturës së shkruar aktualisht?

Përkthime me vlerë nga letërsia europiane, por edhe e ajo e lindjes (iraniane).

Letërsia është një sakrificë. Përkthyesi është një murg. A mendoni edhe ju kështu apo jo? Madje, privacion edhe si prind… A jeni ju prindi i munguar?

Fakti që të dy vajzat e mia; Irena, e diplomuar shkëlqyeshëm në Ekonomi në Taranto- Kanada, ku është pedagoge, po ashtu edhe Elira-që studioi gazetari në Bukuresht, sot është në një dikaster të rëndësishëm, shpresoj t’më shpëtojë “nga ky statusi i prindit të munguar”.. Ndikimi im ekziston, qoftë edhe në mënyrë indirekte, por njërit në çift i duhet të sakrifikojë diçka më tepër … 

Jeni intelektual i dykohësisë. Çfarë ju preokupon më tepër?

Jam sensibël për historinë dhe figurat madhore të  kombit tonë. Shqipërisë nuk i mungon historia, por trajtimi i saj me kulturë me ndjenjë demokratike, ku secili të marrë vendin e merituar. Në këto 20 vite, bashkë me time shoqe Lindën, kërkimtare pasionante e fakteve historike të mbuluara, por edhe zbulimin e vend-nderimet apo vend-varrimit. Kam pikasur fakte tronditëse: Varri i  martirit të shqipes, Papa Kristo Negovanit , ende fshatin e tij Negovan (!?) ishte i shembur e ishte pa pllakë mbivarrore. Po ashtu varri i Hasan Prishtinës në Kukës i mjerë. Apo ai i Shote Galicës, Zhan D’arkës shqiptare. Askush nuk e di se ajo, vullnetarisht, bëri “Jetimore” në Fushë-Krujë dhe ishte e vetmja shërbestare për fëmijët e të rënëve për trojet shqiptare …

Jeni nga frekuentuesit më të rregullt të bibliotekës së Durrësit, por çdo mëngjes ju shoh që vini nga deti… ?!

Po, dhe kam arsye: Jetoj mes Durrësit dhe Tiranës këtë 10 vjeçarin e fundit të pensionit. Biblioteka ime e pasur gjendet nëpër arka. Ndërsa librat e rinj, nuk bëhet fjalë t’i blej, si gjithë pensionistët… Në Durrës jam ndier qetë e mirë. Ka edhe një mjedis të kulturuar,  por deti është miku im më i madh. Notoj çdo ditë, madje edhe në stinën e vjeshtës. Dhe ndiej që jam i fortë… Po të mos jeni, ju ish studentët, të njohurit e mi, nuk do ta tregoja moshën… (qesh)

I besoni genetikës apo rastësisë?

I besoj gjërave që kam në dorë; përkthim dhe poezi. Im gjysh shkoi me araba në kuvendin e pavarësisë në Vlorë, por u ftoh dhe vdiq më pas. Im at vdiq papritur nga një helmim. E kishte të dobët sistemin gastroabdominal… E unë këtë, nuk e kam trashëguar… Ndërsa im vëlla po. Edhe ai vdiq pak a shumë nga e njëjta arsye…     

                                                                                                           Botuar në gazetën “Dyrrah”, pranverë 2011