18 nëntor 2015 – Nëntë familje janë hedhur në rrugë të madhe në prag dimri, pa përfituar asnjë të drejtë themelore. Pas presioneve për të liruar shtëpitë me të gjitha mënyrat, përmbaruesi gjyqësor i përzuri banorët me lecka në krahë.

Zyra Mura, e moshuara 80 e ca vjeçe, tregon se as në kohën e luftës nuk ndodhi kjo që po ndodh tani.

“E vogël isha, por nuk na përzuri askush. As në kohën e pushtimit nuk na nxorën nga shtëpitë, e nuk brodhëm me lecka në krah. Atë që nuk na e bëri as italiani, as gjermani, po e bën Edi Rama. Çfarë do të bëj me pensionin tim me 150 mijë të vjetër? 120 i donte shtëpia me qira, a më dalin 30 mijë lekë për bukë në muaj? Po për ilaçet? Ku të shkoj, se na përzunë nga shtëpia ku u martova, linda e rrita fëmijët. I martova, e tani në pritje të vdekjes, më nxjerrin në rrugë? Kjo është demokracia, t’i qesë njerëzit në rrugë të madhe? Ku të shkoj, do të vdes rrugës, se nuk kam ku të shkoj”, thotë e moshuara.

“Me lecka në krahë e me fëmijë në djep, na përzuri vetëm Zerva, nga tokat tona në Çamëri. E dyta herë që po na përzënë me dhunë nga shtëpitë, është në vitin 2015”, shprehen familjet Abazi, në lagjen numër 1 në Durrës, në banesën numër 29. Këtë deklaratë bëjnë katër prej nëntë familjeve të përzëna pas 60 vjetësh nga banesat ku ishin të strehuara nga ish-pushteti popullor i atyre viteve.

“Na erdhi përmbaruesi, dhe na tha do t’ju sjell policinë e do ju fusim në burg. Ne jemi qytetarë të nderuar, katër vëllezër në këtë godinë këtu u strehuan, pasi erdhën nga Çamëria, ku kemi lënë të gjithë pasurinë. Tani në këtë moshë po përndiqemi sërish. Për herë të dytë na përzënë nga banesat. Pronarit t’i kthehen shtëpitë, por neve të na jepet zgjidhje se ku të shkojmë”, shprehen njëzëri anëtarët e familjeve Abazi.

Presioni i bërë nga përmbaruesit, me njoftimin se policia do t’i nxjerrë me forcë, bëri që ata të nxjerrin jashtë orenditë shtëpiake e të përfundojnë në rrugë të madhe, pa asnjë mbështetje nga pushteti lokal, nga bashkia apo ndërmarrjet në varësi. Por për përmbaruesit gjyqësorë, dalja nga banesat e familjarëve është ligjore. “Nuk ka tolerance ligjore, po ju mban kohë e mirë banorëve, si pranverë  në dimër, banesa iu kthye pronarëve”, ironizon përmbaruesi. 

9 familje të tjera me godinën pranë, janë lajmëruar. Ato presin me frikë në zemër, se në cilën ditë do t’iu trokasin përmbaruesit në derë.

/K.H. portali DurresLajm/