Më shumë se 10 mijë mësues janë trajnuar në fazën e parë të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional, që synon përmirësimin e cilësisë së arsimit përmes forcimit të kapaciteteve të mësuesve në lëndët prioritare si Gjuha Shqipe, Matematikë, Shkenca dhe Teknologji (STEM), si dhe në aftësi ndërdisiplinore.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ndoqi nga afër një prej trajnimeve në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku tha se vetëm në këtë institucion janë trajnuar rreth 2 mijë mësues. Në nivel kombëtar, synimi është që deri në fund të vitit të trajnohen rreth 16 mijë mësues.

“Jam e kënaqur që sot asistoj në një prej trajnimeve ku mësuesit e arsimit fillor janë tashmë në përfundim të ditës së dytë të trajnimit të modulit që ju jeni duke ofruar. Këtu në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë tashmë keni kryer një seri trajnimesh përgjatë 4 muajve, ku janë angazhuar në këtë universitet rreth 2 mijë mësues, dhe në të gjithë vendin kemi trajnuar më shumë se 10 mijë mësues”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Trajnimet janë zhvilluar nga 200 pedagogë të shtatë universiteteve publike dhe përfshijnë aftësi praktike për metodat interaktive të mësimdhënies, përgatitje për testimin ndërkombëtar PIRLS 2026, si dhe module për parandalimin e dhunës në shkolla.

Manastirliu njoftoi se po punohet edhe për fazën e re të programit 2026–2028, me synimin për të ofruar module të reja në përputhje me kurrikulën dhe kërkesat e mësimdhënies moderne.