KAVAJE – Situatë mjaft e rënduar në zonën e Golemit, ku dhjetëra banesa janë përmbytur për shkak të reshjeve të shiut dhe hapjes së portave të rezervuarit të Manskurisë. Reshjet e dendura të shiut të dy ditëve të fundit kanë ngritur nivelin e rezervuarit dhe për pasojë autoritetet janë detyruar të hapin portat.
Por kjo ka shkaktuar dëme të shumta për dhjetëra banorë të zonës, të cilët kanë parë shtëpitë e tyre të mbulohen nga uji. Sipas banorëve niveli i ujit brenda në shtëpi ka arritur deri në një metër dhe shumë nga pajisjet elektroshtëpiake dhe orenditë u kanë dalë jashtë përdorimit.
Nga ana tjetër banorët deklarojnë se krahas ujit të shiut në shtëpitë e tyre kanë hyrë dhe ujërat e zeza, pasi prej vitesh kanalet kulluese dhe ato të ujërave të zeza nuk pastrohen.
Banorët kanë apeluar për ndihmë nga autoritetet lokale, pasi situata e tyre është mjaft e vështirë dhe rëndohet nga ora në orë.
Ndërkohë reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme dhe në shumë lagje të qytetit të Durrësit. Shumë rrugë dhe kryqëzime, në lagjet 9, 14, 17 dhe 18, kanë qenë të bllokuara, pasi niveli i ujit në to arrinte në disa cm.