Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pas reshjeve rekord që kanë goditur prefekturën Chiba, në lindje të Japonisë, pranë Tokios.

Reshjet e dendura, të përshkruara nga autoritetet si një situatë “e paprecedentë”, kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Më shumë se 20 mijë familje kanë mbetur pa energji, ndërsa rreth 7 mijë udhëtarë janë bllokuar gjatë natës në aeroportin ndërkombëtar të Naritës për shkak të kaosit në transport, shkruan BBC.

Aeroporti ka njoftuar se fluturimet e së premtes pritet të operojnë normalisht, megjithëse kompania Japan Airlines ka paralajmëruar për vonesa të mundshme.

Autoritetet japoneze kishin ngritur të enjten nivelin më të lartë të alarmit për emergjencat, ndërsa të premten në mëngjes alarmi u ul në nivelin katër. Megjithatë, paralajmërimet për rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut vijojnë.

Në disa zona të Chibas janë regjistruar më shumë se 360 milimetra reshje brenda 24 orëve, duke shkaktuar përmbytje të rrugëve dhe hekurudhave.

Mes viktimave raportohet edhe një grua që humbi jetën pasi automjeti i saj u përfshi nga ujërat në një rrugë të përmbytur. Dy persona të tjerë u rrëzuan në rrugë dhe më vonë ndërruan jetë.

Guvernatori i Chibas, Toshihito Kumagai, e cilësoi situatën si jashtëzakonisht të pazakontë edhe për standardet e motit në Japoni.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka shpjeguar se reshjet e jashtëzakonshme janë shkaktuar nga përplasja e ajrit të ngrohtë dhe të lagësht me masat e ajrit të ftohtë mbi pjesën lindore të vendit, duke krijuar kushte atmosferike jashtëzakonisht të paqëndrueshme.

Reshjet e dendura pritet të vijojnë deri vonë të premten, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe forcat e emergjencave vazhdojnë operacionet në zonat më të prekura.