GREQI, 29 prill 2013- Një fatkeqësi detare me të paktën dy të vdekur dhe tetë të humbur ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Greqi. Një anije mallrash u mbyt pas një përplasjeje me një tjetër anije mallrash.

2 marinarë kanë vdekur dhe 8 marinarë rezultojnë të zhdukur pas fundosjes së një anije mallrash, e cila u përplas me një tjetër anije mallrash, në jugperëndim të ishullit të Sapiencas në jug të Messinias, në Peloponez. 

Pas rreth 3 orësh ekipet e shpëtimit gjetën trupat e 2 marinarëve të mbytur. 

Anija e mallrave “Consouth” me flamur të Antigua-Barbuda me 16 marinarë bord, u përplas në rrethana të paqarta me anijen tjetër të mallrave “Piri Reis” me flamur të Ishujve Cook me 17 anëtarë të ekuipazhit. 

Ngjarja ndodhi në mëngjes pak para orës 06.00, kur u anija e mallrave “Piri Reis” që transportonte pleh dhe shkonte në Ukrainë, u fundos për shkak të ngarkesës, dhe sipas informacioneve paraprake, 10 marinarë të saj nuk patën kohë të lënë anijen. 

Në zonë ndodhen katër anije vela, një aeroskaf C-130 dhe 4 helikopterë. Mësohet se moti ka qenë i mirë dhe ende nuk dihet cfarë e shkaktoi përplasjen fatale. 

Kërkimi për marinarët e zhdukur vazhdon ende.