Një aksident i rëndë ka ndodhur në kryeqytet mbrëmjen e kësaj të hëne, rreth orës 19:05, në zonën e Vaqarrit, ku një automjet me drejtuese shtetasen Xhensila Shkreta është përplasur me një automjet tjetër me drejtues shtetasin Arben Peka.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 6 fëmijë të mitur, të moshave 6 deri në 10 vjeç, të cilët udhëtonin si pasagjerë në automjetin që drejtohej nga shtetasja Xh. Sh., si edhe vetë drejtuesja e këtij automjeti.

Sipas informacioneve paraprake, të miturit po ktheheshin nga kursi i sportit në momentin e aksidentit.

Të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.