Personi që banonte me vrasësin e 12 të rinjve sot në Kaliforni, thotë se ai ishte tip vetmitar, i çuditshëm e që kërcente vetëm në garazh.

Bllejk Uinet u zgjua në mëngjes dhe pa në lajme se si ish-shoku me të cilin ndante qiranë kishte vrarë 12 veta te një lokal ku dikur kishin shkuar bashkë.

“Ishte tip i çuditshëm. Mbyllej me çelës në dhomë e nuk dilte. Nuk e njoh dhe aq mirë”, thotë 35-vjeçari Uinet.

“Nuk ishte i dhunshëm, por ishte i lig. Nuk ndihmonte asnjeri për asgjë. Mendoja se ishte dembel. Rrinte i shkëputur”, thotë Uinet.

Autori i masakrës në Kaliforni që u mori jetën 12 personave dhe plagosi rreth 15 të tjerë është një ish-marins i ushtrisë amerikane. Ai është 28-vjeçari Ian David Long personi që shihni në foto. Trupi i Ian David Long u gjet i pajetë mes viktimave. Besohet se ai vrau veten përpara se të mbërrinte policia.

Sulmi ndodhi natës e së mërkurës, në barin ku rreth 200 studentë ishin mbledhur për të festuar me muzikë Country. Dëshmitarët thanë se sapo hyri në derë, agresori hodhi një bombë tymuese dhe më pas nisi të qëllonte me pistoletë në drejtim të të pranishmëve.