LEZHE– Pesë fëmijë jetimë të familjes Pjetri në fshatin Zejmen të Lezhës jetojnë mes varfërisë duke ndihmuar njëri- tjetrin. Më i madhi i tyre është 18 vjeç ndërsa më e vogla 9 . Të mbetur jetimë nga babai 3 vjet më parë dhe nga nëna në qershor të këtij viti ata nuk kanë mundësi as të ushqehen dhe as të festojnë Krishlindjet dhe Vitin e Ri si të gjithë bashkëmoshatarët.
Barra më e rëndë e kryefamiljarit tashmë i ka mbetur Eduartit që sapo ka mbushur 18 vjeç.
“E vështirë është se me 150 mijë lekë asistencë nuk mund të jetohet. Kush mund të ketë mundësi të na ndihmojë…”- thotë ai.
Të sensibilizuar për jetesën e vështirë të 5 jetimëve nxënësit e shkollës së shurdh-memecëve në Lezhë kanë mbledhur ndihma dhe para për tju mundësuar atyre festimin e ndërrimit të viteve.
“Ata kanë mbledhur rreth 28 mijë lekë të reja dhe mendohet një ndihmë e vogël për energjinë elektrike. Falenderojmë të gjithë, edhe familjarët, të cilët mundohen t’u qëndrojnë afër”- tha Motër Rexhina nga shkolla “Efata”.
Fatkeqësitë e 5 fëmijevë të familjes Pjetri nisën tre vjet më parë kur babai i tyre humbi jetën pas kontaktit me energjinë elektrike.
Një vit më vonë shtëpia e tyre u shkrumbua nga zjarri si pasojë e një shkëndije elektrike. Ndërsa në qershor të këtij viti të gjendur përballë vështirësisht të mëdha ekonomike nëna e tyre u vethelmua me fotoksinë.