Pesë turistë gjermanë u shpëtuan pasditen e djeshme nga forcat e Njësisë Delta, pasi humbën orientimin në zonën e prapme të Karaburunit, në një terren të thepisur dhe të vështirë për t’u përshkuar. Pas marrjes së njoftimit rreth orës 18:00, ekipet e shpëtimit u nisën menjëherë drejt zonës së njohur si Maja e Qorres për lokalizimin e turistëve.

Pas kërkimeve, efektivët arritën të gjenin të pestë turistët. Katër prej tyre janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa njëri nuk mund të ecë për shkak të gjendjes së tij fizike.

Aktualisht, forcat e Njësisë Delta i shoqëruan turistët drejt një zone të sigurt, ndërsa personi i dëmtuar u transportua në krahë me mjete rrethanore, pasi terreni i vështirë nuk lejon përdorimin e mjeteve të tjera.